Ndërtesa prej dy milionë eurove, pronë e kryetarit të Listës Serbe

Aleksandar Arsenijeviç, lideri i inciativës qytetare “Mbijetesa serbe” dhe kolegu i tij Stefan Veljkoviç, kanë vizituar një parcelë prej nëntë ari e gjysmë që kryetari i ‘Listës Serbe’, Goran Rakiç, e ka deklaruar si pronë të tij në vlerë prej treqind e pesëdhjetë mijë eurove.

Arsenijeviç përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social Twitter, ka theksuar se në atë parcelë është duke u ndërtuar një objekt, që aktualisht ka shtatë kate dhe mund të kap një vlerë më të madhe se dy milionë euro.

“Pyetje ia kemi bërë edhe zotit Buleshkaj, drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit. Të gjithëve u bëjmë pyetjen: kush e mbron ministrin Rakiç dhe nga vijnë kaq shumë para për ndërtimin e objekteve të tilla”?

“Për kë, në fakt, funksionon ‘Lista Serbe’”?, pyet Arsenijeviç, i cili luan opozitarin e ‘Listës Serbe’ duke i etiketuar në këtë postim Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ndryshe, më 24 janar, Agjencia kundër Korrupsionit kishte iniciuar procedurë hetimore kundër kryetarit të ‘Listës Serbe’, Goran Rakiç për mos-deklarim të pasurisë.