Në ditën e zgjedhjeve, Mergim Lushtaku ‘sulmon’ Bekim Jasharin

Iniciativa “Ideal” e cila udhëhiqet nga kryetari aktual i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili po synon edhe një mandat 4 vjeçar, ka akuzuar deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtakun dhe J.G dhe militantë të PDK-së për presion ndaj votuesve para qendrave të votimit.

“Siç shihet në fotografitë e bashkangjitura, militantë të PDK-së, të prirë nga deputeti, Mergim Lushtaku janë duke iu bërë presion votuesve para qendrave të votimit në shumë fshatra, duke përfshirë, Kllodernicën, Vojnikun, Makermalin, Terrnavcin, Klinën e Epërme e Likocin, ndërsa në Llaushë ish asambleisti i PDK-së, J.G hyn në secilin vendvotim dhe iu bërë presion komisionerëve dhe vëzhguesve. Kërkojmë nga Policia dhe Prokuroria e Kosovës që të sigurojnë proces të rregullt dhe ndëshkim të individëve të tillë të cilët më çdo kusht nga frika e humbjes po tentojnë në deformojnë vullnetin e lirë të qytetarëve të Skenderajt”, thuhet në komunikatë.

E përmes një postimi në facebook, Mergim Lushtaku i është kundërpërgjigjur akuzave ndaj tij.

“Bekim Jashari në Panikë! Qytetarë të nderuar, Duke parë shpifjet e ulëta të Bekim Jasharit, detyrohem t’i përgjigjem! Të gjithë në Skënderaj më njohin dhe e dinë shumë mirë se mua nuk më përkon me karakterin tim, kërcënimi apo presioni. Por, po shihet se sipas të gjitha informatave që kemi në terren, Bekimi dhe ekipa e tij është në panikë nga humbja e thellë. Pasi që unë dëgjova për rastin e sulmit ndaj një qytetari në Kllodernicë, menjëherë e lajmërova policinë”, ka shkruar ndër tjerash Lushtaku.

“Më lajmëruan se janë të informuar për rastin dhe se janë nisur për në vend të ngjarjes. Unë mbërrita para patrollës së policisë, ku të njejtit persona që kishin sulmuar qytetetarin që nuk është bindur të votojë Vetëvendosjen për asamble dhe Bekimin për kryetar, erdhën dhe ngritën zërin para meje. Unë ju tregova se askush nuk mund të detyroj dikë për të votuar X kandidatin, sepse lufta është bërë që qytetarët të vendosin për të drejtën e tyre pa presion. Fatbardhësisht me ardhjen e patrollës së policisë, pasi i përshëndeta dhe i falënderova për ardhjen, kërkova nga ta që të qëndrojnë afër kësaj qendre të votimit për të mbajtur rend dhe ligj! Pa panikë! Me dinjitet votoni për ata që ju unifikojnë!”, ka shkruar deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku.