“Ne jemi groenlandezë, nuk duam të jemi amerikanë”, ishulli i akullt i përgjigjet “flakë për flakë” Trumpit

“E ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset në Groenlandë”. Kjo është përgjigja e kryeministrit të ishullit të akullt, Mute Egende për Presidentin amerikan Donald Trump, i cili kërkon ta përvetësojë atë duke e bërë pjesë të SHBA.

“Ne jemi groenlandezë, nuk duam të jemi amerikanë”, tha më tej Egende një ditë pas inaugurimit të Donald Trump.

Presidenti amerikan shkaktoi shqetësim në fillim të janarit kur refuzoi të përjashtonte një ndërhyrje ushtarake për të vënë nën kontrollin e SHBA-së Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë.

Duke pranuar se situata është e vështirë edhe ministri i jashtëm i Danimarkës theksoi se asnjë vend nuk mund të vijë dhe të marrë në “përdorim” Groenlandën.

“Ne nuk mund të kemi një rend ndërkombëtar në të cilin vendet, nëse janë mjaft të mëdha mund të sillen si të duan”, u tha Lars Locke Rasmussen gazetarëve një ditë pasi Donald Trump mori detyrën.

Trump nuk e përmendi tokën daneze në fjalimin e tij të inaugurimit dje, megjithatë, duke folur më vonë me gazetarët, ai vlerësoi se Danimarka në fund do të tërhiqet nga kjo çështje.

Ministri tha se ishte i kënaqur që Trump nuk e përmendi Groenlandën si prioritet në fjalimin e tij, por shtoi se “retorika” mbetet e njëjtë.

“Kjo nuk do të thotë se nuk ka më krizë, pasi ai ka thënë gjëra të tjera për zgjerimin e territorit amerikan”, tha Loke Rasmussen.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka vlerësuar dje në një postim në Instagram se Evropa duhet të “lundrojë në një realitet të ri”.

Duke kujtuar të drejtën për vetëvendosje të popullit të Groenlandës, ajo theksoi gjithashtu se Danimarka duhet të ruajë aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara, të cilën e përshkroi si më të rëndësishmen që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kryeministrja thirri sërish sot një takim me krerët e partive daneze për t’i informuar ata mbi situatën. “Duhet të pranojmë se katër vitet e ardhshme do të jenë të vështira”, tha pas takimit Pia Olsendeer e së Majtës së Gjelbër.