Në komunat veriore me shumicë serbe s’do të ketë rritje të tarifave të energjisë

Kryesuesi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) Ymer Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ka pranuar se katër komunat veriore me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin e ZRRE për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Kjo me arsyetimin, siç tha ai për procesin gjyqësor që ZRRE-ja është duke zhvilluar sa i përket shpenzimit të energjisë elektrike në atë pjesë.

Po ashtu kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) Ymer Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, theksoi se gjatë këtij viti ka hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm në bazë ligjore për caktimin e tarifave, për të reflektuar kostot e sistemeve.

Fejzullahu tha se në kuadër të këtij procesi ZRRE-ja ka hapur periudhën e konsultative për tarifat e energjisë elektrike deri më 28 janar.

Për këtë, ai u shpreh se kategoria e shfrytëzimit të energjisë elektrike mbi 600 kWh do të kenë ngritje të çmimit, por sipas tij, edhe këto kategori do të përfitojnë nga subvencionimi qeveritar.

Kryetari i Komisionit Ferat Shala ka pyetur kryesuesin e ZRRE se kush është autor i këtij raporti për rritjen e tarifave.

Deputeti Shala ka pyetur po ashtu se a ka bazë ligjore futja e 75 milionë euro nga qeveria për këtë rritje të tarifave.

“Ka ndërhyrje nga ana e Qeverisë në ZRRE, nuk ka bazë ligjore”, tha ai.

Pas kësaj, Fejzullahu ka thënë se autor janë ZRRE-ja dhe bordi i saj është përgjegjës.

Duke mohuar se ka ndërhyrje nga qeveria me subvencione në ZRRE, pasi sipas tij mbështetje ka pasur edhe nga qeveritë e kaluara.

Fejzullahu ka folur edhe për rritjen e shpenzimit të energjisë, i cili tha se gjatë dhjetorit ka pasur konsum të lartë deri në 1400 MWh.

Sipas Fejzullahut 30 për qind e konsumatorëve janë të detyruar të ngrohen me energji./KP