Në Turqi sulmojnë ashpër Manajn, Sivaspori e merr në mbrojtje

Ndërhyrja e rëndë e Rei Manajt ndaj Barish Alper Jillmaz në ndeshjen mes Sivaspor dhe Gallatsaraj, është kthyer në temë kryesore diskutimi në Turqi në 24 orët e fundit.

Tifozët e verdhekuqve nga Stambolli dhe drejtuesit e klubit kanë kritikuar sulmuesin shqiptar duke arritur deri aty sa të kërkojnë përjashtimin e tij nga futbolli turk.

Por në krah të Manajt ka dalë Sivaspori, duke e mbrojtur bomberin kuqezi përmes një komunikate zyrtare, ku i cilësojnë si të papranueshme të gjitha akuzat që i janë bërë lojtarit.

“Ne do të dëshironim të theksonim që si klub kemi vlerësuar me kujdes incidentin që ka lidhje me ndërhyrjen e futbollistit tonë Rei Manaj ndaj lojtarit të Gallatasarajit, Barısh Alper Jıllmaz në pjesën e fundit të ndeshjes. Ne nuk aprovojmë veprimin e lojtarit tonë, Rei Manaj. Megjithatë, ne besojmë se kjo situatë nuk duhet të interpretohet sikur lojtari ynë dëmtoi me dashje Jillmaz”, thuhet në reagimin e Sivaspor.

Më tej klubi i Manajt nënvizon se incidente të tilla në fushë janë pjesë e futbollit dhe janë plotësisht pasojë e reagimeve të momentit brenda lojës.

“Klubi ynë dënon fuqimisht komentet e tepruara që kanë si objektiv Rei Manajn. Është e qartë që sjellje të tilla, të cilat janë kundër me vlerat themelore të sportit, dënojnë të ardhmen e futbollit turk”, thekson më tej klubi nga Sivasi.