Policia e Kosovës thotë se kontrolli dhe menaxhimi i dy xhamive në komunën e Vitisë, që pretendohet se kontrollohen nga “imamë të vetëshpallur”, i takon Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).
Në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, Policia e Kosovës thotë se nuk ka pranuar asnjë ankesë apo denoncim, në lidhje me rastin e dy xhamive.
Bashkësia Islame e Vitisë, e cila funksionon nën BIK-un, thotë se dy xhamitë, njëra në fshatin Skifteraj dhe tjetra në Ramnishtë, janë jashtë kontrollit dhe menaxhimit të BIK-ut dhe se frekuentohen nga njerëz të dyshimtë.
BIK-u, në anën tjetër, insiston se, prej vitesh, i ka njoftuar organet më të larta të sigurisë në vend lidhur problemet në xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë.
Çka është BIK-u?
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) është institucion i pavarur i myslimanëve të Kosovës. Kjo bashkësi ka për qëllim organizimin e jetës fetare islame të myslimanëve në Kosovë. BIK-u është ideatore, bartëse, prezantuese, predikuese dhe realizuese e jetës fetare islame në Kosovë. BIK-u udhëhiqet nga myftiu, i cili është autoriteti më i lartë fetar mysliman. Për organizmin e jetës fetare në vend, kjo bashkësi bazohet në Kushtetutën e Bashkësisë Islame të Kosovës e cila mbështetje kryesore ka Kuranin, synetin e të dërguarit të Allahut Muhamedit a.s dhe rregullat e shkollës juridike hanefite si dhe rregulloret e miratuara nga organet e Bashkësisë Islame të Kosovës. Organizimi i Bashkësisë Islame fillon përmes xhemateve, të cilat përbëjnë këshillin e një xhemati të një xhamie të caktuar. BIK-u ka krijuar edhe institucionin edukativ-arsimor, nga niveli parashkollor deri tek arsimi i lartë.
Hoxha: Xhamitë menaxhohen nga grupe ekstremiste
Rreth dy vjet e gjysmë më parë, Këshilli i Bashkësisë Islame i Vitisë e ka shkarkuar Mubarek Misinin nga detyra e imamit në fshatin Skifteraj të Vitisë.
…është një grup ekstremist, që nuk u nënshtrohet procedurave dhe rregullave të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës”.
Shkak për këtë, siç thotë kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Vitisë, Husamedin Hoxha, ka qenë mosplotësimi i kushteve dhe normave që dalin nga Kushtetuta e Bashkësisë Islame të Kosovës për pozitën e imamit të xhamisë. Sipas tij, Misini nuk ka shkollim adekuat për të qenë imam.
“Tri herë kemi shpallur konkurs. Nuk u lajmërua askush, për shkak të grupit, i cili e menaxhon xhaminë aty dhe që në kuptimin e fesë islame, është një grup ekstremist, që nuk u nënshtrohet procedurave dhe rregullave të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, e, njëherësh, edhe Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se xhamia tjetër, në Ramnishtë, është ndërtuar pa lejen e Bashkësisë Islame të Kosovës. Nga viti i kaluar, thotë ai, ajo xhami menaxhohet nga një grup individësh, edhe pse Këshilli i Bashkësisë Islame i Vitisë është përpjekur ta fusë nën ombrellën e tij.
“E kemi hapur konkursin për ta menaxhuar ne. Por, asnjëherë nuk na është dhënë mundësia që të shkojë ndonjë imam [i emëruar nga Bashkësia Islame e Kosovës], për shkak të këtyre grupeve, që po i quaj ekstremistë”, thekson Hoxha.
Xhamia në Ramnishtë drejtohet nga Ilir Emini.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti, Hoxha, e quan “imam të vetëshpallur” si Misinin, ashtu dhe Eminin.
Megjithatë, ai nuk specifikon ndonjë fakt për veprimtari të ekstremizmit fetar në këto xhami, por thotë se dyshimet e tij i ka përcjellë tek organet e rendit.
Në xhaminë në Skifteraj “nuk ka ekstremizëm” – për imamin “vendos xhemati”
Radio Evropa e Lirë vizitoi xhamitë në Ramnishtë dhe në Skifteraj.
Xhamia në Ramnishtë ishte e mbyllur, ndërsa drejtuesi i saj, Ilir Emini, nuk ishte i qasshëm.
Drejtuesi i xhamisë në Skifteraj, Mubarek Misini, nuk deshi të prononcohej për Radion Evropa e Lirë, lidhur me shqetësimet që shpreh Hoxha.
Xhafer Rexhepi, banor i fshatit Skifteraj dhe anëtar i Këshillit të xhamisë në këtë fshat, thotë se Mubarek Misini është imam në xhaminë e fshatit tash e 20 vjet.
Vendimin e Bashkësisë Islame të Vitisë, të vitit 2021, që Misini të mos e ushtrojë detyrën e imamit, ai e sheh si kontrovers dhe të pakoordinuar me këshillin e xhamisë dhe xhematin e saj, apo komunitetin që e frekuenton atë.
Sipas tij, kundër Misinit është vetëm kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Vitisë dhe jo Bashkësia Islame e Kosovës, me zyrtarët e së cilës, sipas Rexhepit, ka biseduar Këshilli i xhamisë në Skifteraj.
“Ata nuk janë kundër Mubarekut. Kundër Mubarekut është Husamedin Hoxha me njerëzit që i ka prapa. Se kush janë ata, nuk e dimë. Ne, si xhemat, kemi marrë vendim unanim – duke u bazuar në atë se e kemi konsideruar këtë vendim [për largimin e Misinit nga detyra e imamit] si personal, privat dhe kontrovers – që të vazhdojmë me Mubarek Misinin. Do të thotë, janë 180 shtëpi [të fshatit]”, thotë Rexhepi.
Ai i hedh poshtë pretendimet e Hoxhës se në xhaminë në Skifteraj shihen “persona të dyshimtë dhe ekstremistë”.
“Pse ekstremistë? Çfarë ekstremistësh? Ku ka dhe ku po shihni ju ekstremizëm këtu? Deklarata ime ka rëndësi. Pra, nëse unë them që në xhaminë e fshatit Skifteraj nuk ka ekstremizëm, nuk e frekuentojnë njerëz nga jashtë fshatit, deklarata e çdo kujt bie në ujë, sepse unë jam këtu në çdo kohë, bashkë me të tjerët”, thotë Rexhepi.
Ai shton se Këshilli i xhamisë në Skifteraj është i gatshëm që kjo xhami të funksionojë nën ombrellën e Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti, por me kushtin që Mubarek Misini të jetë imam i kësaj xhamie.
BIK-u mbështet Këshillin e Bashkësisë Islame në Viti
“Ne qëndrojmë prapa vendimeve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Vitisë”, thonë nga Bashkësia Islame e Kosovës përmes një deklarate me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.
Sekretari i BIK-ut, Ahmet Sadriu, thekson se nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Vitisë është informuar me kohë, lidhur me problemet dhe shqetësimet që kanë të bëjnë me xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë.
“Të njëjtat [shqetësime] i ka adresuar kryetari [i KBI-së së Vitisë, Husamedin] Hoxha edhe pranë organeve komunale dhe atyre të sigurisë. Ne i kemi njoftuar edhe organet e larta të sigurisë në nivel qendror, prej vitesh”, thotë Sadriu.
Në deklaratën dhënë REL-it, Policia e Kosovës thotë se “kontrolli dhe menaxhimi i xhamive në komunën e Vitisë i takojnë ekskluzivisht Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti, andaj këto dy institucione duhet të gjejnë zgjidhje” për problemet në xhamitë e tyre.
Policia shton se “të gjitha informacionet që merr nga terreni, do t’i dërgojë në njësitet përkatëse, për të vërtetuar se a ka ndonjë veprimtari të kundërligjshme”.
“Problem i paidentifikuar” apo “uzurpim i pronave” të BIK-ut?
Zyrtarët e Komunës së Vitisë thonë se në mbledhjen e Këshillit Komunal për Sigurinë në Bashkësi, më 20 korrik, Husamedin Hoxha, si anëtar i këtij këshilli, ka ngritur shqetësimin lidhur me dy xhamitë.
Unë edhe dje i kam thënë Husamedin Hoxhës se detyrë e jotja ka qenë të shkosh dhe ta ndalosh ilegalitetin”.
Hasan Alia, nënkryetar i Komunës së Vitisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata e krijuar për xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë, është e paqartë.
Ai shpreh dyshimin se Këshilli i Bashkësisë Islame të Vitisë nuk e ka identifikuar mirë problemin, bashkë me banorët lokalë të këtyre fshatrave.
“Duhet ta identifikojnë se çka janë duke dashur. A janë duke dashur imponim të imamit, të hoxhës apo cili është problemi aty? Kur e identifikojmë këtë, besoj se do ta ketë më lehtë edhe Bashkësia Islame, por do ta kenë më lehtë edhe organet e sigurisë”, thotë Alia.
Ai shpreh mendimin se zyrtarët e KBI-së së Vitisë është dashur të bisedojnë me banorët lokalë dhe me xhematin e këtyre dy xhamive, në mënyrë që çështja e imamëve dhe menaxhimi i xhamive të zgjidhen përmes dialogut dhe brenda rregulloreve të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Konsiderimi i xhamive nga ana e KBI-së në Viti si ilegale, sipas nënkryetarit Alia, e rrit problemin.
“Në rast se ti, si kryetar i Bashkësisë Islame, thua se kam dy xhami, të cilat punojnë në mënyrë ilegale… Unë edhe dje [të enjten, më 20 korrik] i kam thënë [Husamedin Hoxhës] se detyrë e jotja ka qenë të shkosh dhe ta ndalosh ilegalitetin. Është dashur të shkojë dhe t’i mbyllë ato dy xhami dhe një vendim të tillë t’ia dërgojë policisë”, thotë Alia.
…nëse ka edhe elemente të tjera të dyshimta për veprimtari që nuk janë të ligjshme, me këto probleme do të duhej të merreshin edhe organet tjera të zbatimit të ligjit”.
Por, sipas Husamedin Hoxhës, tentimi eventual i KBI-së për mbylljen e xhamive ose tentimi për të emëruar aty imamë, sipas rregulloreve të BIK-ut, vetëm se mund të krijojë probleme më të mëdha me përkrahësit e, siç i quan ai, “imamëve të vetëshpallur”.
Në rastin konkret, thotë ai, xhamitë janë prona që i janë uzurpuar Bashkësisë Islame.
“Askush nuk po e kupton, as prej komunës, se si zgjidhet ky problem. Bashkësia Islame nuk ka forcë, nuk ka pushtet në dorë”, thotë Hoxha.
Hasani: Me rastin e xhamive të merren organet e zbatimit të ligjit
Sociologu i religjionit në Kosovë, Ismail Hasani, vlerëson se veprimtaria e xhamive në përgjithësi në vend është legale, në rast se ato veprojnë brenda sistemit të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në këtë kontekst, sipas tij, xhamitë në Ramnishtë dhe Skifteraj, drejtuesit e të cilave kontestohen nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Vitisë, funksionin e tyre të predikimit dhe komunikimit me besimtarët do të duhej ta zhvillonin brenda rregullativave ligjore të Bashkësisë Islame të Kosovës.
“Në rastin konkret, nëse ka edhe elemente të tjera të dyshimta për veprimtari që nuk janë të ligjshme, atëherë me këto probleme do të duhej të merreshin edhe organet tjera të zbatimit të ligjit. Kjo, sepse Bashkësia Islame e Kosovës ka kohë që e ka humbur kredibilitetin në disa raste, që të veprojë me forcën e argumenteve, në pastrimin ose në rregullimin e brendshëm të institucioneve fetare, në rastin konkret të xhamive”, vlerëson Hasani.
Ai thekson se në xhamitë, të cilat nuk janë nën menaxhimin ose kontrollin e BIK-ut, krijohet mundësia potenciale e shpërfaqjes së ekstremizmit fetar islamik, madje “në trajtën më radikale”.
Hasani thekson se tendenca duhet të shkojë kah parandalimi i përshkallëzimit të situatës ndërmjet BIK-ut dhe komunitetit që frekuenton dy xhamitë e kontestuara dhe këmbëngul në caktimin e imamëve sipas dëshirës së tyre.
Në rastin konkret, siç thotë ai, duhet të shfrytëzohen të gjitha masat e mundshme ligjore që të evitohen situatat e padëshirueshme. Në rast se nuk evitohen, atëherë, sipas tij, organet për zbatimin e ligjit duhet të veprojnë.