Nga sot qytetarët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të paguajnë para shtesë për bisedat telefonike apo mesazhet gjatë qëndrimit në këto vende.
Nga kjo e enjte, qytetarët e Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, gjatë qëndrimit në njërin nga këto vende nuk do të paguajnë para shtesë për bisedat telefonike apo mesazhet apo siç njihet ndryshe të shërbimit roaming.
Heqja e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor u kërkua nga Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.
Krahas qytetarëve, heqja e “roaming” ndihmon më së shumti edhe sipërmarrësit që udhëtojnë dhe punojnë në vendet e rajonit, në mënyrë që të kenë më të lehtë komunikimin.