Një nga kandidatët e parë për postin e Boris Johnson në krye të Partisë Konservatore dhe si shef i ekzekutivit britanik, ishte Rishi Sunak.
Sunak, i cili ka shërbyer si ministër i Thesarit, u detyrua të mohonte lidhjet me ish-këshilltarin “toksik” Dominic Cummings.
Cummings ka postuar pretendime “helmuese” në internet për rivalët e Sunak për udhëheqjen konservatore, por ekipi i ish-ministrit këmbënguli se ai nuk kishte folur me këshilltarin që kur u largua në fund të 2020.
Ekipet rivale të Sunak, pretendojnë se Cummings është duke mbështetur Sunak për të zëvendësuar Johnsonin, sepse sipas tyre ai mendon se mund ta kontrollojë.
Nadine Dorries , një aleate e ngushtë e Boris Johnson , pohoi se “këshilltari kontrovers” kishte punuar me zotin Sunak për një kohë mjaft të gjatë dhe se ai shpresonte të kthehej në Doëning Street.
“Njerëzit duhet t’i bëjnë vetes pyetjen: pse Cummings po e mbështet Rishin? Përgjigja për këtë pyetje është sepse Cummings beson se ai mund të kontrollojë Rishin dhe sheh një rol për veten e tij në qeveri, dhe kjo është e tmerrshme”, tha ajo për DailyMail.
Ndërkohë që një burim në elitën e konservatorëve, tha për DailyMail se Dominic Cummings i ka bërë mjaftueshëm dëm jetës britanike dhe publike dhe gjëja e fundit që i duhet partisë është këshillimi i tij në këtë fazë, me politikat e tij toksike, konfrontuese dhe shkatërruese.
Cummings ka lëshuar një sërë sulmesh ndaj pretendentëve të lidershipit konservator përmes mediave sociale ditët e fundit, veçanërisht kundër Liz Truss, e parë gjerësisht si rivalja kryesore e zotit Sunak për postin e udhëheqëses së konservatorëve.