Ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas janë takuar për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Takimi po ndërmjetësohet nga ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, ndodhen në Antalia të Turqisë dhe ky është takimi i parë i nivelit të lartë mes Rusisë dhe Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus mbi Ukrainë.
Ky takim do të zgjasë rreth 90 minuta.
Fillimin e takimit mes palëve e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës Oleg Nikolenko.
“Në Antalia kanë nisur bisedimet mes ministrave të jashtëm të Ukrainës, Turqisë dhe Federatës Ruse për t’i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës”, ka shkruar ai.