UPDATE: Shefi i diplomacisë së Jashtme të BE’së, Joseph Borrell ka njoftuar se pala kosovare dhe serbe nuk e kanë pranuar aneksin e zbatimit të marrëveshjes të propozuar nga BE’ja, për të cilin Borrell tha se ishte më ambicioz dhe më i detajuar.
“Fillimisht kemi propozuar një aneks më ambicioz, por palët nuk kanë arritur një pajtim mbi atë version. Në njërën anë, sepse besoj që Kosova nuk ka pasur fleksibiltet sa i përket substancës, dhe në anën tjetër, Serbia ka theksuar në parim që të mos nënshkruaj, edhe pse është e gatshme të implementojë”.
Tutje, Borrell tha se zbatimi i këtij aneksi do të bëhet pjesë përbërëse e Kosovës dhe Serbisë drejt rrugëtimit të tyre evropian.
“Pra marrëveshje konsiderohet e miratuar me një deklaratë që do të publikohet. Më besoni përkundër faktit që një tekst më ambicioz është propozuar në fillim, ajo mbi të cilin janë dakorduar palët, dhe zbatimi i saj përmes aneksit do të bëhet pjesë përbërse drejt rrugëtimit të tyre evropian” tha Borrell sipas perkthimit zyrtar.
Vuçiq: Njëfarë marrëveshjeje është arritur
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “njëfarë marrëveshjeje është arritur”.
“Jam i kënaqur për këtë, por nuk është e gjitha”, tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë takim që u ndërmjetësua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, u bisedua për zbatimin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Duke iu drejtuar gazetarëve, ai tha se nuk ka nënshkruar asgjë.
“Këto disa pika për të cilat kemi rënë dakord, do të jenë pjesë e kornizës së negociatave për të dyja palët, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën. Këshilli Evropian do të marrë një vendim që kjo të bëhet pjesë e vendimit të negociuar”, tha presidenti serb.
Këshilli Evropian do të vlerësojë se sa është bërë nga plani i zbatimit, tha ai.
“Për ne është shumë e rëndësishme që formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë] është vendosur si detyrim me prioritet dhe atë në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë, në kuadër të dialogut. Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”.
Vuçiq tha se do t’i njoftojë qytetarët e Serbisë për gjithçka që ka ndodhur dhe do t’ua shpjegojë “atë që i pret”.
“Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e aneksit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre”, tha ai, duke iu referuar propozimit evropian që palët e pranuan më 27 shkurt në Bruksel.
UPDATE: Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka njoftuar se ka përfunduar raundi i bisedimeve mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Sipas burimeve të Koha.net, takimi gati 12 orësh mes Kurtit dhe Vuçiq ka rezultuar me “një lloj marrëveshje”.
Takimi në Ohër ka nisur që nga orët e mëngjesit, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian.
UPDATE: Ka përfunduar takimi trepalësh midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësim të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Ai ka shkruar se pas takimit së shpejti përfaqësuesi i lartë Josep Borrell do të dalë me deklaratë zyrtare.
UPDATE: Kanë kaluar më shumë se 9 orë që kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kanë nisur në Ohër takimet ndaras dhe trepalëshe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Diskutimet po vazhdojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian, për përmbajtjen e të cilit palët u dakorduan më 27 shkurt.
Fillimisht krerët e shteteve u takuan ndaras me përfaqësuesit e BE-së. Pastaj, pak pas orës 15:00 ka nisur takimi trepalësh. Ky takim zgjati për një orë fillimisht para një pauze gati dyorëshe për t’u ritakuar sërish. Nga ora 18:20 palët janë në pjesën e dytë të takimit dhe ende po vazhdojnë diskutimet.
Nga nisja e takimeve s’ka pasur asnjë deklaratë të krerëve apo ndërmjetësve. Pas takimit, pritet që secili t’u drejtohet gazetarëve, ndërsa Borrelli të japë konkludimin e takimit.
UPDATE: Përfundimi i takimit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit ka dalë të jetë vetëm një pauzë e shkurtër dhe tashmë të dy liderët janë rikthyer në tryezën e bisedimeve.
Pjesa e parë e këtyre bisedimeve ka zgjatur rreth një orë, ndërkohë tashmë të dy liderët po i vazhdojnë diskutimet rreth Aneksit të Implementimit të propozimit franko-gjerman.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-se, Josep Borell do të mbajë konferencë për media pas takimit ku do të flasë për rezultatet
Ka filluar takimi në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisarin për dialogun Miroslav Lajçak.
Fillimisht përfaqësuesit e BE-së takuan ndaras Kurtin e Vuçiqin, ndërsa takimi trepalësh ishte paraparë për ora 13:30, por ka nisur me afro dy orë vonesë.
Pas takimit trepalësh Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, do të japë një deklaratë për media.