Milan Radoiçiç dhe 44 persona të tjerë janë akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria Speciale për vepra të rënda penale pas aktit terrorist të 24 shtatorit të vitit 2023.
Për prokurorinë, qëllimi i sulmit ishte i qartë: Aneksimi i veriut të Kosovës.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë”
Në dosjen e aktakuzës, thuhet se fillimet e organizimit të grupit dhe kërkimi i përkrahjes me qëllim të kryerjes së veprave të rënda penale janë në një takim që ka ndodhur në tetor të vitit 2021 në Rashkë të Serbisë, ku i pranishëm ka qenë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
“Milan Radoiçiç dhe Vladimir Radivojeviç me pseudonimin ‘Mami’ gjatë takimit kërkojnë armatosjen dhe fillimin e rezistencës së armatosur kundër institucioneve të Republikës së Kosovës në katër komunat veriore si Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok”, shkruan prokuroria.
Si kërcënim dhe paralajmërim për atë që do të ndodhte është edhe videoja e Milan Radoiçiç në korrik të vitit 2022 që nga Leposaviçi kishte thënë se “ishte kthyer dhe ju e dini çfarë do të thotë kjo”.
“Prej dhjetorit të vitit 2022 dhe përgjatë vitit 2023 janë intensifikuar sulmet me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës, sulmet ndaj zyrtarëve të KQZ-së, ndaj mediave dhe gazetarëve, vendosja e barrikadave dhe mjete eksplozive në to, sulmet ndaj KFOR-it deri më 24 shtator 2023 kur ndodhi sulmi më i rëndë ndaj Republikës së Kosovës”.
Prokuroria thotë se kanë arritur të vërtetojnë se grupi për një kohë të gjatë ka kryer ushtrime fizike, përgatitje fushore dhe ushtrime taktike me armë të ndryshme, shpërthime me eksplozivë në poligonet ushtarake serbe të papenguar nga autoritetet shtetërore serbe.
Në dosje thuhet se grupi i Radoiçiçit ishte në gjendje gatishmërie edhe më 29 maj të vitit 2023, në ditën kur ishin sulmuar ushtarët e KFOR-it në Zveçan, ku ishin pozicionuar me uniforma dhe armë në Leposaviç.
“Milan Radoiçiç me një grup të personave ishin në gjendje gatishmërie për të ndërmarrë një sulm të armatosur kundër Policisë së Kosovës në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës”.
Sipas Prokurorisë, plani për sulm në Banjskë kishte nisur në ora 2:09 minuta me vendosjen e dy kamionëve për të bllokuar rrugën, për të cilën më pas kishin ardhur patrullat policore dhe ishin sulmuar duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku.
Pjesa më e madhe e grupit kishin hyrë përmes rrugëve ilegale me automjete pa targa dhe të armatosur, ndërsa disa prej tyre kishin hyrë një ditë më parë përmes pikë kalimit kufitar në Jarinjë.
Milan Radoiçiç dhe grupi i terroristëve kishin filluar të largohen nga Banjska pas orës 10:30 përmes rrugëve malore dhe ilegale duke kaluar në territorin e Serbisë.