Një grua në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u habit shumë kur pa në oborrin e saj një ari të madh të zi që u shtri në pishinën e fëmijëve për të fjetur gjumë.
Regina Keller ka 12 vjet që fotografon kafshë të ndryshme që i “vizitojnë” oborrin, pasi shtëpia e saj është pranë Parkut Kombëtar George Washington, kështu që ajo është mësuar me arinj, dhelpra apo ketra.
Gjithashtu, ky ari i madh nuk ishte krejtësisht i panjohur për të.
“E njoha pas disa minutash, kishte dy vite pa ardhur te oborri im. Shëtiti pak dhe pastaj shkoi e u shtri te pishina. Dukej shumë i kënaqur. Unë u ula në karrige dhe nisa ta regjistroja e t’i bëja foto. Iku vetëm kur dëgjoi nipërit e mi që po vinin bashkë me qentë”, tha Regina për CNN.