Një grup gjerman i dërgojnë Trumpit një copë të Murit të Berlinit: Asnjë mur nuk zgjat përgjithmonë

Një grup gjerman po i dërgon një mesazh të mprehtë presidentit Donald Trump në 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.

Iniciativa “Wall against Walls”, një projekt i jofitimprurës i organizatës Die Offene Gesselschaft po planifikon t’i dhurojë Shtëpisë së Bardhë një mbetje prej 2.7-tonësh nga relikti i Luftës së Ftohtë, raporton Quartz, njofton Klan Kosova.

Pllaka e betonit do të arrijë në Shtëpinë e Bardhë të shtunën, megjithëse nuk ka të ngjarë që administrata Trump të pranojë pasi përmban një letër që i kujton presidentit “angazhimin e Amerikës për të ndërtuar një botë pa mure”.

“Ne do të dëshironim t’ju jepnim një nga pjesët e fundit të Murit të dështuar të Berlinit për të përkujtuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e një bote pa mure”, thuhet në letër, siç duket e pikturuar në fragmentin e betonit.

Ajo është nënshkruar nga “Qytetarët e Berlinit”

Vizitorët e faqes së këtij grupi në internet kanë mundësi që ta nënshkruajnë letrën kushtuar presidentit amerikan. Deri të premten pasdite, atë e kanë nënshkruar rreth 1800 persona.

Si shenjë e qartë proteste ndaj politikës amerikane për imigrantët, në letër përshkruhet vdekja e njerëzve që përpiqeshin ta kalonin murin e periudhës sovjetike.

Në letër përmendet fakti se Shtetet e Bashkuara kanë pasur rol të rëndësishëm në rrëzimin e murit të Berlinit, duke e theksuar kontributin e ish-presidentëve amerikanë, John F. Kennedy dhe Ronald Reagan.

“Sot, bota feston 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Gjermania është bashkuar përsëri dhe në Berlin vetëm disa pjesë të shpërndara na kujtojnë se asnjë mur nuk zgjat përgjithmonë,” thuhet gjithashtu në letër.