Një polic dyshohet të jetë përfshirë në plagosjen në veri, suspendohen katër

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar një zyrtar policor i cili dyshohet se është përfshirë në plagosjen e një personi në veri të hënën. Po ashtu janë suspenduar edhe tre zyrtarë të tjerë policorë, nën dyshimin për përfshirje në rast, sipas Policisë.

Policia ka bërë të ditur se “si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”.

Sipas njoftimit, bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri.

Gjithashtu Policia ka bërë të ditur se po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.

“Andaj me qëllim që të vazhdojmë të mbajmë të informuar opinionin mbi veprimet policore dhe të gjeturat nga hetimet zyrtare, dyshohet se një zyrtar policor është përfshirë në këtë rast dhe se për këtë Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore menjëherë ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë kompetent për procedura të mëtejme penale. Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat zyrtare konform autorizimeve ligjore, të mbajë të informuar opinion në mënyrë të drejt dhe të paanshme, pa marrë parasysh se kush është përfshirë në rast dhe në asnjë rrethanë të vetme, nuk do të veprojë ndryshe, vetëm sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka thënë se do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorin e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale.