Njerëzit më dembelë janë në Tiranë, zbulon INSTAT

Tirana është me të vërtetë kryeqytet i Shqipërisë, edhe kur vjen puna tek dembelizmi, ashtu siç bën me dije një raport i fundit nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, INSTAT.

Duke marrë në analizë tre muajt e fundit, janë 42% e kryeqytetasve, të cilët jo vetëm që nuk janë në marrëdhënie pune, por as nuk po kërkojnë të punësohen.

Kjo është hera e parë që Tirana merr “fronin e dembelëve”, duke lënë pas Lezhën, e cila për shumë vjet u radhit e para në Shqipëri në bazë të INSTAT, si qyteti më dembel.

Dibra dhe Vlora, janë dy qytete të tjera, ku të dhënat reflektojnë një dembelizëm të lartë, në marzhin e 40% të popullatës.

Nga ana tjetër, më punëtorët gjenden në Berat, Korçë dhe Elbasan, sipas vëzhgimit të të dhënave nga tremujori i fundit i vitit 2022.

Popullsia inaktive në tërësi, gjatë vitit 2022, ishte në kuotën e rreth 860 mijë, ku llogariten personat, të cilët nuk klasifikohen si të punësuar, por as si të papunë.

Kjo fashë përfshin të gjithë ata, të cilët jo vetëm që nuk e kanë një pozitë kontraktuale në tregun e punës, por edhe nuk kërkojnë punë, për arsye si vazhdimi i studimeve, pensionimi, apo ku përfshihen edhe personat me aftësi ndryshe.

Në të dhëna, reflektohet edhe ata, të cilët profesionin që zgjedhin ta kryejnë, është të jenë shtëpiakë, pra të kujdesen për fëmijët apo anëtarë të tjerë të familjes.

Në rang kombëtar ndërkaq, shkalla e inaktivitetit llogaritet të jetë në masën e 38%, ku përfshihen të papunët dhe ata të cilët nuk kërkojnë punë.