Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me disa bashkëpunëtorë të partisë kanë vizituar kampin ku po qëndrojnë 440 familje të prekura nga tërmeti .
Nga Vetëvendosje bëjnë të ditur se kanë vendosur të mos bëjnë fotografi në këtë aktivitet, për të ruajtur privatësinë e të strehuarve në kampin e Prizrenit, duke thënë se gjithçka po funksion në përpikëri dhe se të gjitha nevojat elementare janë duke u plotësuar, transmeton Indeksonline.
Nga Vetëvendosje theksuan poashtu se shteti i Kosovës kurrë nuk e lë vetëm Shqipërinë sepse jemi një komb dhe nuk jemi mysafir te njëri-tjetri.
“Kosova është shtëpia juaj sepse kombi shqiptar është streha jonë”, thuhet tutje nga VV.
Postimi i plotë:
Lajmet nga zona e Durrësit nuk po bëhen më të mira. Fatkeqësisht lëkundjet nuk po pushojnë megjithëse në shkallë më të ulët. Trishtimin po përpiqemi ta përballojmë në bashkësi, ndërkohë që solidariteti pa kursim na ka dhënë një forcë të madhe se bashkë mund t’ja dalim. Dikush dhuron veshmbathje, dikush bën punë vullnetare, disa sjellin ushqim falas e shumë të tjerë i kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për strehim. Kjo është vlera e bashkësisë, këto janë vlerat tona.
Sot një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i prirë nga Kryetari Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, deputetët Artan Abrashi, Yllza Hoti, Arbër Rexhaj, Salih Zyba e aktivistët Drita Millaku, Faruk Dakaj e Karanfil Haxhillari vizituan Kampin ku po qëndrojnë 440 familje të prekura nga tërmeti. Vendosëm të mos bëjmë fotografi në këtë aktivitet, për të ruajtur privatësinë e të strehuarve në kamp. Por, ne pamë që gjithçka po funksiononte në përpikëri: mjekët po bënin kontrollat sistematike për trajtimin e infeksioneve të lehta, atyre kronike e deri te sëmundjet akute; psikologët të gatshëm për trajtimin e të traumatizuarve; vullnetarët ishin duke i seleksionuar të gjitha ndihmat, nga ato higjenike te veshmbathjet, nga dyshekët te batanijet. Të gjitha nevojat elementare janë duke u plotësuar. Ndonëse çdo ditë ushqimi është duke u shtruar nga humanitarë zemërgjerë, në hapësirat e Kampit shpejt do të hapet edhe kuzhina ku do të gatuhet ushqim i freskët për refugjatët. Ish-hapësira e KFOR-it gjerman, sot Park Inovativ, edhe pse nuk mund ta ketë ngrohtësinë e shtëpisë, po ia del mbanë që mërzinë ta zbus. Në emër të organizatës sonë, i falënderojmë të gjithë për punën që po e bëjnë.
Shteti i Kosovës, Qeveria jonë, i tërë populli ynë kurrë nuk e lë vetëm Shqipërinë. Çfarë ndodhi nuk mund të zhbëhet, por jeta duhet të triumfojë. Këto ditë pikëllimin po e kthejmë në forcë. Ne jemi një komb dhe nuk jemi mysafir te njëri-tjetri, Kosova është shtëpia e juaj sepse kombi shqiptar është streha jonë.