Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zgjedhur prestigjiozen britanike ‘The Guardian’ që t’i sqarojë raportet reale që ka me SHBA-në.
Në një deklaratë të tij, Kurti ka treguar se si ia ka kundërshtuar kërkesën emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që kryetarët të mos i dërgojnë në objektet komunale të komunave veriore.
“Nuk mund të kemi kryetarë me Zoom [platformë e thirrjeve online], ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, ka deklaruar Kurti.
Në këtë intervistë, Kurti ka kritikuar edhe deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.
Kurti është shprehur i pakënaqur me këtë deklaratë.
“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti për Guardian, në një intervistë përmes telefonit.
“Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”, ka thënë më tej ai.