Infrastruktura e arsimit në Kosovë, jo rrallë herë ka qenë objekt i kritikës shoqërore e politike.
Në të shumtën e rasteve është vlerësuar se qeveritë kanë pasur më shumë mundësi investimi në fushën e arsimit se sa në fusha të tjera, por se kjo nuk është realizuar mjaftueshëm.
Prioritetet e qeverive kanë shkaktuar edhe debate e ndërlidhje të arsimimit me besimin fetar, duke thënë se në Kosovë po ndërtohen më shumë objekte fetare se sa shkolla.
Duke marrë parasysh se rreth 96 për qind e popullsisë në Kosovë (bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë) i takojnë besimit mysliman, debati në të shumtën e rasteve është drejtuar në investimet që janë bërë në ndërtimin e objekteve fetare që i shërbejnë këtij besimi – xhamive.
Në një përgjigje për lajmi.net, sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka bërë të ditur se aktualisht në Kosovë janë të ndërtuara 830 xhami, ndërsa nuk ka treguar numrin e xhamive që janë ndërtuar gjatë vitit 2021.
Në anën tjetër, bazuar në statistikat nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë bëhet e ditur se aktualisht janë të ndërtuara në total 1 mijë e 58 shkolla.
Sipas këtyre statistikave, më së shumti shkolla ka të ndërtuara në Komunën e Prizrenit, ku janë të ndërtuara 84 shkolla, ku 69 prej tyre janë shkolla të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët, ndërsa 15 janë shkolla të nivelit të mesëm të lartë arsimor.
Ndërkaq, komunat me më së paku shkolla të ndërtuara janë Komuna e Junikut me dy shkolla, ndërsa Komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Kllokotit kanë të ndërtuara vetëm nga një shkollë.
Kujtojmë se Qeveria Kurti para se të vinte në pushtet kishte paralajmëruar reforma në arsim, gjë që do të ulte numrin e shkollave funksionale në Kosovë, por se këto reforma pritet të fillojnë gjatë viteve në vijim.