Ambiciet për formimin e Serbisë së Madhe kërcënojnë paqen në Ballkanin Perëndimor dhe se çelësi i paqes është në distriktin e Brçkos që është “thembra e Akilit” të Serbisë, shkruan e përditshmja zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ).
Aty theksohet se presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik po tenton të krijoj forca ushtarake paralele.
“Që nga 21 nëntori 1995, termi Dejton ka treguar një lloj të veçantë diplomacie – të gjithë pjesëmarrësit ishin mbyllur derisa të arrijnë një marrëveshje. Kështu shkruante ‘arkitekti’ i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, ambasadori Richard Holbrooke në librin e tij Misioni im, i vitit 1998. Përpjekjet e palodhura diplomatike të Holbrooke, së bashku me bombardimet e NATO-s ndaj pozicioneve serbe, i dhanë fund luftës gati katërvjeçare në Bosnjë e Hercegovinë”, shkruan autori i tekstit Alexander Rotert.
Rotert ka hulumtuar ngjarjet në ish-Jugosllavi që nga viti 1991. Ai ka punuar, ndër të tjera, për Institutin Otto Zur (OSI), Institutin e Evropës Lindore (OEI) si dhe për misione të ndryshme ndërkombëtare.
Autori na kujton se edhe sot, gati tridhjetë vjet pas përfundimit të luftës, paqja në Ballkanin Perëndimor është jo vetëm e brishtë, por edhe në rrezik të madh. Ai vlerëson se kjo ka të bëjë me përpjekjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të realizuar projektin e krijimit të Serbisë së Madhe, të nisur nga paraardhësi i tij Sllobodan Millosheviq.
Ai plan, siç shkruan Rotert, mbështetet në “Botën Ruse” të Vladimir Putinit dhe tani quhet “Bota Serbe”. Protagonisti kryesor i tij është shefi i Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin.
Vulin, i cili së fundmi është sanksionuar nga SHBA-ja për shkak të besnikërisë ndaj Moskës, së bashku me liderin serbëve të BeH, Milorad Dodik ka marrë pjesë në një “forum sigurie” në Rusi.
Dodiku po armatoset
Autori e përshkruan Dodikun si “pushtetin kryesor aktiv të Beogradit në Ballkanin Perëndimor”. Rotert përmend edhe mirënjohejn “Urdhri i Meritës” që i dha Putinit në shenjë mirënjohjeje.
Teksti i NZZ-së më pas citon Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 2022, e cila thotë se “situata në rajonin e ish-Jugosllavisë vazhdon të përbëjë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
“Një nga arsyet për këtë janë përpjekjet e Dodikut për të ndërtuar forca ushtarake paralele. Nëse shikoni paradën ushtarake vjetore anti-kushtetuese me rastin e themelimit të Republikës Serbe më 9 janar, mund të ndjeni se numri i anëtarëve të atyre forcave është tashmë i konsiderueshëm: në atë kohë, deri në 2,000 anëtarë të armatosur rëndë të grupeve paraushtarake dhe policë specialë marshuan, të ndjekur nga dhjetëra automjete të blinduara dhe helikopterë”, thekson NZZ.
Armatosja e njësive të tij paraushtarake nga Dodiku, shkon paralelisht me armatosjen masive të forcave të armatosura serbe, për të cilën Vuçiq është përpjekur prej disa vitesh.
Brçko si “thembra e Akilit”
Qyteti në pjesën veriore të BeH është “thembra e Akilit” e strategëve serbë, vlerëson Rotert dhe kujton se “Bota Serbe” nuk do të ishte e mundur pa kontrollin e Brçkos.
“Një prani ushtarake ndërkombëtare e armatosur fuqishëm në Brçko mund t’i kundërvihej çdo aventure pa shkrepur asnjë plumb. Do të ishte e rëndësishme që njësitë të zhvendosen në Brçko sa më shpejt të jetë e mundur. Në rast të shpalljes së pavarësisë, njësitë e Dodikut fillimisht do ta merrnin dhe do ta pushtonin Brçkon”, beson autori i komentit.
“Një gjë duhet të jetë e qartë: kurrë nuk ka pasur lëvizje paqësore kufitare në Ballkan. Kontrolli ushtarak i distriktit të Brçkos nga forcat ndërkombëtare – qoftë EUFOR apo NATO, e cila ende ka një mision në BeH dhe drejtohet nga një gjeneral amerikan – është një parakusht për paqe të qëndrueshme brenda dhe rreth Bosnjës në Ballkanin Perëndimor”, shton Rotert.
“Kjo është veçanërisht e vërtetë për sa kohë që janë në pushtet secesionistët dhe politikanët që punojnë për të shkatërruar shtetin, si Milorad Dodik. Me ‘opsionin Brçko’, BE-ja mund të arrijë fitimin maksimal me investime shumë të kufizuara”, përfundon ai.