Kanë vazhduar përplasjet në Kuvendin e Kosovës, kësaj radhe kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, derisa po fliste në foltore i tha kryeministrit, Avdullah Hotit, të mos e quaj atë “të shkretë”.
Osmani duket ta ketë dëgjuar Hotin teksa thotë “e shkreta”, duke nxitur kështu reagimin e kryekuvendares e cila i tha kryeministrit që fjalët e tilla janë të padinjitetshme.
“Zoti kryeministër, mos më quaj mua e shkreta. Mos lësho fjalë të tilla se është e padinjitetshme”, është shprehur Osmani.
Por, një gjë e tillë u mohua nga Hoti, i cili tha se këto fjalë nuk ishin në adresë të saj.
“Nuk e kisha me juve”, i ka thënë Hoti kryeparlamentares, i cili doli pas Osmanit në foltore për të sqaruar, siç tha ai, këtë keqkuptim.
“Për keqkuptimin tonë në foltore, ta dini se unë e them hapur çfarëdo qoftë pa e thënë në asnjë formë tjetër”, ka thënë Hoti.
Kurse, Osmani tha se një gjuhë e tillë përdorej në kohën kur kryeministër ishte presidenti aktual i vendit, Hashim Thaçi, sa herë që diskutohej për dialogun.