Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Marrëveshja e Ohrit e vendos për herë të parë Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta kontraktuese.
Osmani ka shtuar se Serbia e njeh integritetin territorial të Kosovës në përputhje me Kartën e OKB-së.
“Jo më afër njëri-tjetrit, por më afër BE-së. Suksesi në procesin e udhëhequr nga BE-ja do të sjellë më shumë stabilitet në rajon. Marrëveshja trajton Kosovën dhe Serbinë si palë kontraktuese të barabarta për herë të parë. Përmes saj, Serbia e njeh integritetin tonë territorial në përputhje me Kartën e OKB-së dhe marrëveshja e siguron njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare. Më e rëndësishmja, në marrëveshje thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha ajo në një intervistë për Die Presse.
Tutje ajo komentoi deklaratat e ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daciq, që tha se Serbia do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Sipas Osmanit, kjo përbën shkelje të marrëveshjes.
“Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë së fundmi në Vjenë se Serbia nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjes. Neni 4 i marrëveshjes e bën të qartë se Serbia nuk do ta pengojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por, ne e dimë se kush është pengesa e vërtetë: nuk është Serbia, është Rusia. Për shkak të drejtës së vetos, është Rusia e cila mund të shkaktojë probleme me pranimin e Kosovës në OKB. Me kalimin e kohës do ta zgjidhim edhe këtë. Aktualisht prioritetet tona janë anëtarësimi në NATO, anëtarësimi në organizata si Këshilli i Evropës dhe sigurisht integrimi në BE”, shtoi ajo.
Tutje Osmani po ashtu tha se komuniteti ndërkombëtar nuk e merr seriozisht atë që thotë Daçiq.
“Daçiq ka thënë në Vjenë se Kosova duhet së pari të zbatojë marrëveshjen e vjetër për krijimin e asociacionit të komunave serbe. Vetëm atëherë Beogradi do të ndërmarrë hapat e ardhshëm në zbatimin e planit të normalizimit. Një plan i tillë nuk është i përfshirë në marrëveshjen që kemi arritur me Beogradin në Ohër. Por nuk mendoj se shumë njerëz në bashkësinë ndërkombëtare e marrin seriozisht zotëri Daçiq dhe atë që ai bën. Ai tashmë në karrierën e tij politike ka treguar se ndryshon pozicione çdo ditë”, përfundoi ajo.