Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot në Turqi për samitin vjetor të SEECP-së.
Para pak minutash, Osmani ka ndarë një fotografi nga ky samit në llogarinë zyrtare në Instagram, ku shihet me Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, Kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe të tjerë.
Presidentja do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalias, krahas shumë udhëheqësve shtetërorë nga e gjithë bota. Në këtë forum ajo do të jetë pjesë e panelit “Global Governance: Neë Approaches for Global Solutions” (Qeverisja globale: Qasje të reja për zgjidhje globale). Ajo poashtu do të flasë edhe në disa prej ngjarjeve të tjera të organizuara nga ky forum.
“Gjatë qëndrimit në Turqi, Osmani do të ketë edhe disa takime me përfaqësues të vendeve të ndryshme, pjesëmarrës në këto dy forume. Ajo do ta takojë presidentin e Turqisë, z. Erdogan, përfaqësuesin e Lartë të BE-së, z. Borell, ministrin e Jashtëm të Pakistanit, z. Makhdoom Shah Mahmood Qureshi, si dhe udhëheqës të tjerë pjesëmarrës në këtë forum”, thuhet në komunikatë.