Hyundai ka prodhuar një prototip të një kamioni të teknologjisë së fundit, që ecën pa shofer, punon me hidrogjen, por që në formë ngjason me një tren të viteve 1930.
Dizajni fantastik e bën mjetin të duket sikur nuk ka dyer, por në fakt ato janë të rrëshqitshme dhe i japin një pamje tepër të veçantë. Nga marmita e kamionit del vetëm ujë, një gjetje që do të mund të ndryshojë në mënyrë drastike nivelin e ndotjes së ajrit në rrugët tona.
Edhe pse koncepti i kamionit HDC-6 Neptune mund të duket futurist, sipas kompanisë koreano-jugore rrugët e botës do të mbushen me makina të tilla brenda vitit 2030. Pjesa e përparme është frymëzuar nga treni me avull i dizajnuar nga Henry Dreyfuss në Nju Jork në vitet ’30 të shekullit të kaluar.
Pavarësisht se nuk ka nevojë për shofer, kabina është projektuar në atë mënyrë që personat ëq do të qëndrojnë brenda të ndihen më rehat se kurrë gjatë udhëtimit, i cili shpesh në këto lloj mjetesh zgjat me ditë, ose javë. Hyundai beson se do të arrijë të ndërtojë 500 000 makina me motor me hidrogjen, çdo vit, duke filluar nga viti 2030.