Një pacient që ishte planifikuar të operohej në QKUK, më 17 nëntor, në fund të ditës është hequr nga orari i rregullt i operimeve, me arsyetimin se është pranuar një rast urgjent dhe se mjekëve u ka përfunduar orari i punës. Por, po të njëjtën ditë pacienti iu nënshtrua operimit në një spital privat dhe nga ekipi i QKUK-së që do të duhej ta operonte në sistemin publik
Ai ishte pacienti i katërt me radhë për operim atë ditë. Sipas burimeve të KOHËS, tri operimet e para zgjatën më shumë se ç’ishte planifikuar dhe se në rastin e tij anesteziologu refuzoi të hynte në sallë me arsyetimin se i kishte përfunduar orari.
Pacienti, sipas burimeve, u operua po të njëjtën ditë nga operatori dhe anesteziologu i njëjtë, porse në një spital privat.
I pyetur rreth rastit, drejtori i klinikës, Petrit Nura, tha se pacienti atë ditë nuk iu nënshtrua operimit në QKUK, shkaku i një urgjence tjetër.
“Më datën 17.11.23 ka qenë ditë e premte, (të shtunën dhe të dielën nuk punohen rastet e programuara gjatë javës), kështu që ky rast mbetet për ditën e hënë, si rast i parë. Sipas mjekëve, këtij pacienti (rastit të fundit në program operativ) i është treguar nga mjeku dhe anesteziologu se për shkak të kohës nuk mund të kryhet sot (pra, më datë 17.11.23) dhe se do të kryhet të hënën si rast i parë. Pacienti atë ditë ka qenë në Klinikë derisa është kryer orari i rregullt i punës. Siç jemi informuar, pacienti, pasi është kryer orari i rregullt i punës (7-14), pra më vonë, me vetëdëshirë e ka lëshuar spitalin”, ka thënë drejtori Nura.
Menaxheri i Klinikës bëri të ditur që pacientit nuk i është rrezikuar jeta, teksa nuk komentoi rreth operimit të tij në një spital privat nga operatori e anesteziologu që do të duhej ta operonin në QKUK.
“Ky rast nuk ka qenë urgjent dhe as nuk ka qenë e rrezikuar jeta e pacientit. Në Klinikë e kemi si rregull se kur bie pacienti atë ditë, për shkak se disa raste nganjëherë gjatë operimit zgjasin më shumë, atëherë pacienti operohet ditën që vjen si rast i parë në sallë”, ka theksuar Nura.
Sistemi publik shëndetësor ka më së paku anesteziologë për kokë banori, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Lidhur me çështjen KOHA i ka adresuar pyetje edhe Klinikës së Anesteziologjisë, por në këtë instancë nuk e komentuan rastin.
Për mungesë të anesteziologëve, KOHA ka raportuar ditë më parë se një pacient është operuar pa praninë e tyre. Sipas Klinikës së Urologjisë, pacientit i është dhënë anestezion lokal nga vetë mjekët. Familjarë të pacientit kanë rrëfyer për dhimbjet e përjetuara dhe për britmat që dëgjoheshin jashtë sallës së operimit.