Kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se militantët e partisë së Albin Kurtit e kanë kërcënuar me jetë. Ai theksoi se militantët e kanë kërcënuar atë duke i çuar fotografi të djalit të tij, ndërsa theksoi se kjo ka qenë hera e parë që ai ka pasur frikë nga institucionet e shtetit të Kosovës.
“Unë kam pasur qindra kërcënime, prej militantëve të VV, që ata të bënin çmos që unë të mos jetoj më. Ata më kanë kërcënuar familjen time. Ata kanë çuar fotografi të autobusit që i çon fëmijët e mi në shkollë. Kanë dërguar fotografi të djalit tim. Nuk e tërheq fjalën që e kam thënë se: është hera e parë që kam pasur frikë nga institucionet e shtetit tim. Janë duke u kërcënuar të gjithë. Janë duke u përgatitur lëndët. Siç e dini, mbrëmjen kur kam ardhur në Prishtinë është arrestuar një militant i Vetëvendosjes”, tha Pacolli në EuroNews Albania.
Në lidhje më këto kërcënime, Pacolli paralajmëroi se do ta denoncojë kryeministrin Albin Kurtin si dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçlën, për mënyrën se si janë sjellë me të. Pacolli shtoi faktin se ai nuk ka votuar për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurti, por ky i fundit siç thotë ai, ka nisë të hakmerret ndaj tij në mënyrë krejt të pakuptueshme.
“Do të denoncoj kryeministri, ministrin e Brendshëm, për arsye që të dy këta më kanë kërcënuar në mënyrë brutale dhe këtë nuk mund ta toleroj. Shkuarja ime në Kosovë nuk ka pasur synim vetëm të votoj, por kam shkuar se kam edhe pjesën tjetër të familjes. Unë jam qytetar i lirë dhe udhëtoj kur të dua. Unë e kam votuar këtë qeveri. Interesi im ka qenë se do të këtë ndryshim. Unë nuk e kam votuar rrëzimin e qeverisë, por unë kam qenë personi i parë që Kurti ka nisë t’i hakmerret. Forca ime është ajo që përfaqësoj dhe ajo që duket tek unë. Nuk kam asgjë të fshehur”, tha ai.