Partia e Ashkanlive për Integrim (PAI) është gati të prishë koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje në nivelin qendror.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali nënkryetari i PAI-së, Gani Elshani.
Elshani tha se ky subjekt politik do të dalë nga koalicioni pasi që, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përmbushur marrëveshjen e arritur mes dy partive, e cila parashihte që kjo parti të kishte dy zëvendësministra dhe katër këshilltarë.
“Po, pritet me u prish koalicioni. Arsyeja është se nuk i ka përmbush të gjitha kriteret e marrëveshjes. Besoj që këtë javë veç duhet me e përfundu. Një zëvendësministër është dhe dy këshilltarë i kemi. Kemi bisedu me Vetëvendosjen, por nuk po i përmbush obligimet e marrëveshjes, dmth katër këshilltarë dhe dy zëvendësministra”, tha ai.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lilën, por e njëjta tha se nuk ka ndonjë informacion se PAI do të dalë nga koalicioni qeverisës.
Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë me kryetarin e PAI-së, deputetin Bekim Arifin, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.