Në Policinë e Kosovës bënë të ditur se 45 prej tyre janë nga komuniteti serb, 16 nga ai boshnjak, 8 nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe tre turq.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë në Mitrovicën e Veriut, tha se policët e rinj janë shpërndarë në gjithë territorin e veriut të Kosovës.
“Nuk dihet nëse numri i tyre do të rritet gjatë ditëve në vijim. Ndërsa policët e rinj do të vazhdojnë të stërviten edhe për dy apo tre muajt e ardhshëm”, tha Elshani.
Me të marrë detyrën e re, përdorues serbë të rrjeteve sociale e nisën një fushatë linçuese ndaj policëve të rinj nga ky komunitet.
Pesë syresh u janë publikuar fotografitë dhe emrat në platformën ruse, Telegram, teksa është paralajmëruar edhe publikimi i fotografive dhe emrave të të tjerëve.
Policët e rinj janë pjesë e grupit prej 418 kadetësh të diplomuar në Policinë e Kosovës.
E kryeministri Albin Kurti ua ka uruar marrjen e pozitës pjesëtarëve të rinj të policisë.
“Të sapodiplomuar në Policinë e Kosovës, zyrtarët nga komunitetet joshumicë kanë filluar punën këtë javë në veri të vendit. 45 nga oficerët janë serbë, 16 boshnjakë, 8 romë, ashkali dhe egjiptianë dhe 3 turq. I falënderojmë për shërbimin e tyre dhe i urojmë suksese”, tha Kurti.
Fillimnëntorin e vitit të shkuar, policët nga radhët e komunitetit serb u larguan nga ky institucion. Dorëheqja e tyre e pasoi suspendimin nga detyra të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, shkaku i refuzimit të tij për ta vënë në zbatim vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin në RKS të veturave që posedonin targa me akronime të qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia.