Zyrtarët ushtarakë rusë kanë mbështetur në fshehtësi Iranin me armatime dhe informacione, teksa kriza në Lindjen e Mesme Përshkallëzohet. Siç raporton “Washington Post”, në sajë të aleancës strategjike mes dy shteteve, Rusia i ka dhënë artileri Iranin, përfshi edhe antitanke dhe dronë.
Marrëveshjet mes dy palëve përbëjnë shqetësim për Perëndimin pasi sipas ekspertëve kjo i jep krah Iranit në negociata apo edhe nëse zgjedh rrugëtimin drejt luftës. “Nuk bëhet fjalë më për një dinamikë “mentor-çirak”, ku Rusia mban frerët”, thotë për “Washington Post” Hanna Notte, nga Fondacioni “James Martin Center”. “Nga ky ndryshim po përfitojnë iranianët. Marrëdhënia e tyre ka kaluar përtej shkëmbimeve materiale, po i transferojnë informacione dhe aftësi njëri-tjetrit”.
Që prej vitit 2022 ekspertët kanë paralajmëruar për marrëdhënien gjithnjë e më të ngushtë mes Rusisë dhe Iranin, sidomos pasi Republika Islamike pranoi të ndihmonte Moskën në pushtimin e Ukrainës, duke i dhënë mijëra drone dhe raketa. Tani, është radha e Kremlinit të “kthejë borxhin”.
Zyrtarë të shërbimeve informative i kanë thënë “Washington Post”-it se Rusia do të furnizojë me armë Iranin, por edhe me sisteme kundërajrore, sidomos tani që parashikohet një kundërpërgjigje e Izraelit.
Irani thuhet se dëshiron sistemin raketahedhës të Rusisë S-400, që sipas analistëve ushtarakë mund të pikasë dhe të shkatërrojë në ajër avionët luftarakë që mund të dërgohen nga Izraeli për të goditur Iranin. Sipas “Washington Post”, tregtarët rusë të armëve janë parë duke ftuar delegacione iraniane në fabrikat e tyre të armëve që vitin e kaluar.
Por edhe pse nuk ka informacione nëse janë blerë armë gjatë asaj vizite, analistët thonë se kjo është një shenjë e qartë që marrëdhënia mes dy shteteve është bërë më e ngushtë. Bashkëpunimi, sipas ekspertëve, mund të arrijë deri te bashkëprodhimi i dronëve brenda Rusisë.
Prej kësaj marrëdhënieje të rilindur duket se Irani do të forcojë edhe flotën ajrore, e cila kishte mbetur pas ushtrive të tjera botërore, e përbërë vetëm me avionë sovjetikë dhe amerikanë të para vitit 1979. Por, sipas zyrtarëve të shërbimeve informative, Rusia dhe Irani janë pranë marrëveshjes për transferimin e avionëve luftarakë rusë Su-25 në Teheran, që do të ringjallnin flotën iraniane.
Nëse parashikimet dhe informacionet e zbuluara vërtetohen, atëherë duket se Irani po bëhet gati për një përballje “kokë më kokë” me Izraelin. Sulmi në konsullatën iraniane në Damask dhe kundërpërgjigja e Teheranit duke lëshuar dronë e raketa drejt Izraelit, ishte vetëm fillimi…