Shkatërrim katastrofik, mbi 2.6 milionë banorë pa drita dhe të paktën 15 të vdekur. Është ky bilanci i parë i kalimit të uraganit Ian në Florida, ndërsa janë shumë njerëz të bllokuar dhe rreziku është që situata të jetë shumë më dramatike.
“Mund të jetë uragani më vdekjeprurës në historinë e Floridës, pasi dëgjojmë raporte për humbje të konsiderueshme jetësh”, paralajmëroi presidenti amerikan Joe Biden, duke folur nga Shtabi i Mbrojtjes Civile të SHBA.
“Në momente si këto Amerika bashkohet dhe do të bashkohet si një ekip,” shtoi ai.
Guvernatori republikan foli në telefon me Biden për të diskutuar hapat që po ndërmerr administrata për të mbështetur Floridan në përgjigje të uraganit dhe presidenti njoftoi se do të dërgojë drejtorin e Fema Deanne Criswell në vend për të vlerësuar dëmin.
Biden do të shkojë gjithashtu në shtet, kur ta lejojnë kushtet. Ai ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Florida dhe ka ndarë fonde federale për të ndihmuar qarqet më të prekura: ndihma përfshin grante për strehim të përkohshëm dhe rinovime shtëpish, kredi me kosto të ulët për të mbuluar pronat e pasiguruara dhe programe të tjera për të ndihmuar sipërmarrësit të lehtësohen nga pasojat e fatkeqësisë.
Pasi goditi Kubën, Ian zbarkoi në Cayo Costa, pranë Fort Meyers, si një nga uraganet më të dhunshëm që goditi ndonjëherë SHBA-në, me erëra prej 240 km në orë. Natën mes së mërkurës dhe së enjtes, ai humbi forcën dhe u ul në një stuhi tropikale, por më pas Ian u kthye i përforcuar, duke u kthyer në kategorinë e uraganit. Guvernatorët e Virxhinias, Gjeorgjisë dhe Karolinës së Jugut kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Ndërkohë, kërkimet vazhdojnë për të gjetur njëzet pasagjerë në një anije emigrantësh që u përmbys të mërkurën pranë arkipelagut Keys, pak larg nga trajektorja e uraganit.