Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë dy persona të dyshuar për grabitje. Ata u kapën dje rreth orës 15:20 në parkingun e një restoranti në rrugën Prishtinë – Ferizaj.
Ndërkohë, pas detajeve të zbuluara nga Gazeta Sinjali lidhur me identitetin e dy personave dhe pamjeve ekskluzive nga momenti i arrestimit i Armend Morinës dhe Ahmet Kamberit, Sinjali ka siguruar edhe pamje të tjera të nga rastet e vjedhjeve ku janë të përfshirë dy të dyshuarit.
Sinjali mëson se viktimë e Kamberit dhe Morinës kanë rënë shumë persona të cilëve u janë dëmtuar veturat. Një rast nga të dyshuarit ka ndodhur edhe këtë të hënë në një parking në Prishtinë.
Në pamjet e siguruara nga Sinjali, shihet njëri nga të dyshuarit duke e hapur me forcë derën e një veture dhe me ndihmën e një personi tjetër i cili ndodhet në tjetër veturë, ik menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Sipas pamjeve, mund të dallohet se cak i grabitjeve nga të dyshuarit kanë qenë parkingjet e veturave.
Ndryshe, Gazeta Sinjali ka sjellë në detaje identitetin e njërit nga të dyshuarit lidhur me rastin.
Ahmet Kamberi i lindur në qytetin e Podujevës, është emër i njohur për organet e rendit. Si person problematik, për vite me radhë ai ka pasur telashe me ligjin.
Kamberi është arrestuar disa herë, pasi që qe një kohë është shndërruar në makth për qytetarët, veturat e të cilëve dyshohet se janë thyer pikërisht nga 31-vjeçari.
Edhe në vitin 2019 ai ishte arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’, ku cak i tij ishin kryesisht veturat e mërgimtarëve.
‘Veprimtarinë’ e tij, Kamberi e kishte shtrirë në gjithë vendin, duke bërë kështu që të ketë shumë raste të hapura në Polici.
Ndryshe, dy të arrestuarit kanë përfunduar në ndalim policor dhe priten veprimet tjera ligjore lidhur me ta.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.