Ndërsa Moska përpiqet të qëndrojë në zonat që aneksoi ilegalisht javën e kaluar, të martën u shfaqën fotografi të shumta që tregojnë trupat e ushtarëve rusë të shtrirë në rrugët e një qyteti kryesor të Ukrainës lindore, dëshmi kjo e një tërheqjeje të nxituar që shënon një disfatë të re për Rusinë.
Kujtojmë se, Dhoma e Lartë e Parlamentit të Rusisë vulosi aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës të martën, pas “referendumeve” që Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë i hodhën poshtë si të paligjshme dhe mashtruese.
Ndërsa, duke iu përgjigjur masës së aneksimit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përjashtuar zyrtarisht bisedimet me Rusinë. Dekreti i Zelensky-t i publikuar të martën deklaron se mbajtja e negociatave me presidentin rus Vladimir Putin është bërë e pamundur pas vendimit të tij për të marrë nën kontroll katër rajonet e Ukrainës.
“Ne do të presim që presidenti aktual të ndryshojë pozicionin e tij ose të presim një president të ardhshëm ukrainas i cili do të rishikojë qëndrimin e tij në interes të popullit ukrainas”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Por, pavarësisht nga guximi i dukshëm politik i Kremlinit, fotografitë në terren të ndara nga Associated Press, nënvizojnë rrëmujën me të cilën përballet Putini në përgjigjen e tij ndaj përparimeve të Ukrainës dhe përpjekjeve për të vendosur kufij të rinj rusë.
Gjatë fundjavës, për të shmangur rrethimin nga forcat ukrainase, trupat ruse u tërhoqën nga Lyman, një qytet strategjik lindor që rusët e kishin përdorur si një qendër kryesore logjistike dhe transporti. Çlirimi i këtij qyteti i dha Ukrainës një pikë kyçe të favorshme për të shtyrë ofensivën e saj më thellë në territoret e kontrolluara nga Rusia.
E dy ditë më vonë, trupat e ushtarëve rusë ishin ende në tokë. Duket se ushtria ukrainase kishte mbledhur trupat e shokëve të tyre pas betejave të ashpra për kontrollin e Lyman, por nuk i kishte hequr ato të rusëve.
“Ne luftojmë për tokën tonë, për fëmijët tanë, në mënyrë që njerëzit tanë të mund të jetojnë më mirë, por e gjithë kjo ka një çmim shumë të lartë,” tha një ushtar ukrainas.
Instituti për Studimin e Luftës me qendër në Uashington, në raportin e tij të fundit tha se, pas rimarrjes së kontrollit të Lyman në rajonin e Donetskut, forcat ukrainase kanë vazhduar ofensivën më tej në lindje dhe mund të kenë shkuar deri në kufirin e rajonit fqinj Luhansk.
Të hënën, forcat ukrainase shënuan gjithashtu fitime të rëndësishme në jug, duke ngritur flamuj mbi fshatrat Arkhanhelske, Myroliubivka, Khreshchenivka, Mykhalivka dhe Novovorontsovka.