“Paqja vjen në 2025”, Zelenski e pranon: Me Trump lufta do të përfundojë më shpejt

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, tashmë e pranon zyrtarisht. Lufta e nisur nga Rusia do të përfundojë më shpejt me Donald Trump në presidencën amerikane. “Kjo është qasja e ekipit të ri që do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë dhe premtimi që i kanë dhënë qytetarëve të tyre”, theksoi Zelenski në një intervistë për median ukrainase, Suspilne.

Lideri i Kievit konfirmoi se kishte pasur një bisedë të mirë telefonike me Trump pas fitores në zgjedhjet presidenciale, por nuk përmendi ndonjë kërkesë të shtruar nga Republikani për bisedime të mundshme me Rusinë. Zelenski shtoi se Ukraina do të bëjë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm, por përmes mënyrave diplomatike. Gjithashtu pranon se situata në frontin e betejës mbetet e vështirë, me trupat e Putinit që po avancojnë në pushtimin e territorit. Gjatë të shtunës ndërhyri dhe në parlamentin e vendit, ku foli për planin e fitores.

“E ardhmja për Ukrainën është padyshim të jetë një pjesë e fortë e botës globale, të jetë në pozitë të barabartë me të gjitha vendet udhëheqëse, të jetë në Bashkimin Europian dhe NATO, pasi është e drejtë të jemi anëtarë aty. Ne, ukrainasit, së bashku me partnerët tanë, duhet të ndryshojmë rrethanat në mënyrë që lufta të përfundojë pavarësisht se çfarë dëshiron Putin. Ne të gjithë duhet të ndryshojmë rrethanat në mënyrë që Rusia të detyrohet për paqe”, u shpreh Zelensky.

Zelenski shtoi se nëse shkohet përpara me planin e tij të fitores, lufta e nisur nga Rusia përfundon jo më vonë se viti i ardhshëm. Ai akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin se dëshiron të negociojë vetëm për kapitullimin e Ukrainës dhe se në tryezë nuk do të pranojë asgjë. Më herët, një ambasador i Rusisë në selinë e OKB-së në Gjenevë, përshëndeti thirrjen e presidentit të zgjedhur amerikan për kthimin e paqes, por rikujtoi qëndrimin e Moskës se nuk do të heqë dorë nga rajonet e aneksuara të Ukrainës.