Pas Shën Sofisë, në Stamboll, një tjetër kishë-muze u kthye sërish në xhami. Siç shkruan gazeta turke “Sabah”, xhamia Kariye, e cila ndodhet në qendër të Stambollit, do të hapet zyrtarisht për besimtarët pas 79 vitesh.
Siç është paralajmëruar, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të marrë pjesë në ceremoni nëpërmjet telekonferencës nga Ankaraja.
Kisha Ortodokse e Korit ose Kisha e Krishtit Shpëtimtar në Fushë, e ndërtuar në shekullin e IV, u shndërrua në xhami në vitin 1511. Ajo u shndërrua në xhami nga Atik Ali Pasha, një nga vezirët e mëdhenj të Bajazitit dhe që nga ajo kohë ka funksionuar me emrat “Xhamia e Atik Ali Pashës” dhe “Xhamia e Karijes”. Mozaikët dhe afresket, të cilat konsiderohen kulmi i artit bizantin, u mbuluan më pas me një shtresë suvaje.
Me vendim zyrtar të autoriteteve, më 2 gusht 1945, ndërtesa mori statusin e muzeut dhe ishte një nga atraksionet turistike më të vizituara të periudhës bizantine në Kostandinopojë, së bashku me Hagia Sophia dhe Cisternën e Bazilikës.
Katër vite më parë me vendim të Presidentit Erdogan kaloi sërish në kompetencë të Presidencës për Çështjet Fetare.
Pikërisht atëherë filloi restaurimi i kësaj ndërtese të rëndësishme historike në mënyrë që besimtarët të mund të faleshin sërish në të.