Pas reagimit të përfaqësuesit rus dhe serb, Konjufca: Flamurin e vendosa qëllimisht

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka shpjeguar vendosjen e flamurit të Kosovës në prapavijë gjatë mbledhjes së Organizatës të Kombeve të Bashkuara.

“Unë e vendosa qëllimisht flamurin sepse në Kombetet e Bashkuara nuk ka qenë asnjëherë flamuri i Kosovës, nuk lejohet. Pasi që mbledhja ishte virtuale ishte një mundësi shumë e mirë. Ne aty nuk ishim në objektet e OKB-së, por në Ministrinë e Jashtme të Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.

Tutje, Konjufca ka folur për kritikat e dikurshme që kishte Levizja Vetëvendosje kishte ndaj simboleve të Republikës së Kosovës.

“Ai është flamuri i Republikës së Kosovës, dhe ne e mbrojmë, flamurin e Republikës së Kosovës e kam mbrojtur edhe si opozitar. Është me rëndësi të mbrohen simbolet. LVV e ka kritikuar mënyrën e ardhjes së tyre, duke mos e pyetur popullin, duke mos përfaqësuar asgjë kombëtare. Flamuri përnjëherë zëvendësohet me dicka tjetër, kjo ka qenë kritika e Vetëvendosjes, mirëpo e dimë në cfarë rrethana është krijuar shteti i Kosovës. Qasja jonë duhet të jetë me të tjerët, me Serbinë duhet ta mbrojmë flamurin e Kosovës. Për të tjerat do të ketë zhvillime historike në të ardhmen sesi do të duken simbolet, si do të duket Kushtetuta jonë”, ka deklaruar Konjufca në RTV Dukagjini.