“Pashë gjirin që ta kam dhënë mos e le luftën”/ Ministri i Mbrojtjes iu bashkua UÇK-së me 21 vjet, refuzoi 30 mijë dollarë për shërim

Ushtaraku, Ejup Maqedonci nga sot është në krye të Ministrisë së Mbrojtjes pas dorëheqjes së tashmë ish-ministrit Armend Mehaj, i cili siç deklaroi përmbylli mandatin e tij për arsye familjare, shkruan Gazeta Sinjali.

Ejup Maqedonci ka lindur më 9 maj 1977 në Prishtinë. Më 1996, ai migroi në Zvicër ku jetoi deri në momentin kur u njoftua për sulmet mbi familjen Jashari. Më 18 mars 1998 ai vendosi përfundimisht që të kthehej në Kosovë.

“Kemi hyrë ilegalisht në Kosovë. Kemi sjellë aq sa kemi mundur armatim jo vetëm për vete, por edhe për t’i furnizuar bashkëluftëtarët. Faza e parë e organizimit të UÇK-së në regjionin e Prishtinës, ka qenë fazë dëshpërimi. Në muajin maj janë vrarë dy prej luftëtarëve më të shquar dhe ideologëve të luftës çlirimtare, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani. Të dy ishin shokët e mi. Për dy muaj, kam shkuar në një kodër në lagjen Taslixhe për ta parë shtëpinë time, sepse se kisha parë për dy vite që isha në Zvicër. Pas vrasjes së Agronit, ishte dita e parë që e takova nënën pas dy viteve. Ajo e vërejti në fytyrën time dëshpërimin. I thashë është goditje e madhe për ne, nuk e di a kemi me mujtë me vazhdu. Më tha, pashë gjirin që ta kam dhënë mos e le luftën dhe mos i le shokët”, pati deklaruar në ATV, Maqedonci.

Qysh në moshën 21 vjeçare iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku shërbeu si Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit në UÇK, i cili u bë i njohur me nofkën komandant “Uki”.

Kolonel Maqedonci ka përfunduar dy Kolegje ushtarake dhe dy programe master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ka të kryera me dhjetëra trajnime ushtarake brenda dhe jashtë vendit.

Ndërsa, në karrierën e tij ushtarake, rol pati edhe një trajnim i zhvilluar në vitin 2010 në Japoni. Maqedonci gjatë këtij trajnimi u lëndua tejet rëndë, ndërsa kishte refuzuar 30 mijë dollarët të cilët iu kishin ofruan për shërim, me arsyen që të mos dëmtohet imazhi i ushtrisë së Kosovës.

“Gjatë atij trajnimi, fatkeqësisht unë u lëndova. Nga zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë u ftova që të diskutojë rreth ndërprerjes së trajnimit dhe kthimit në Kosovë, si dhe tërheqjes së shumës prej 30 mijë dollarëve që ka qenë në kontratë. Unë as që e kam menduar punën e 30 mijë dollarëshit. Kam pasur shqetësim se nuk do të mund të vazhdojë punën e trajnimit. Ditën e nesërme kam kërkuar nga japonezët që të vazhdojë trajnimin edhe me një këmbë”, deklaroi Ejup Maqedonci.

Pas këtij veprimi, nga autoritet japoneze, Maqedonci ishte caktuar përgjegjës i ushtarëve të 8 shteteve pjesëmarrëse nga e gjithë bota.

“Jam caktuar përgjegjës për ushtarët e tetë shteteve që kanë marrë pjesë në trajnim. Pos tjerash kam qenë edhe planifikues i skenarëve që janë bërë për ato ushtrime. Në fund kam qenë përgjegjës për fjalën përfundimtare nga ana e studentëve në ceremoninë e diplomimit”, deklaroi më tej ai.

Deri në fillim të vitit 2023, ai ka qenë Shef i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimit në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa së fundmi, shërbeu si oficer këshilltar për Mbrojtje dhe Siguri i Kryeministrit të Kosovës (2021 – 2023).