Memli Krasniqi, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës në një lidhje me skype për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” ka thënë se në vend duhet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, edhe pse në këtë periudhë është e pamundur që të zhvillohen prej pandemisë.
Ai tha se nëse ka trend të rritjes së të infektuarve, këto vendime do të rishqyrtohen dhe është nevojë për të pasur një Reformë Zgjedhore.
“Çdo parti opozitare kërkon të rrëzojë qeverinë e të shkojë në zgjedhje, por është e pamundur në një porces zgjedhor për shkak të pandemisë. Vendosëm që zgjedhjet të shtyhen se nuk kishte kushte duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve”, është shprehur ai.
I pyetur nga drejtuesi i emisionit qe pse në Serbi dhe Maqedoni kanë ndodhur zgjedhjet, ai tha se Serbia nuk duhet të merret si shembull asnjëherë dhe se Maqedonia ka një kontekst problematik se ka qeveri të përkohshme.
“Do të votojmë kundër qeverisë së Hotit, sepse do të vazhdojmë të jemi parti opozitare, edhe pse ata pretendojnë se shumicën e kanë të konfirmuar. Albin Kurti e rrënoi qeverinë sepse u kalb brenda 50 ditësh nga brenda”, u shpreh Krasniqi.
Në lidhje me Kurtin, ai tha se sa erdhi në detyrë, filloi duke ndërruar ambasadorë edhe pse nuk u kishte ndërruar mandati, filloi stërheqje e menjëhershme, filloi shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve që ishin zgjedhur me konkurse, duke vendosur dentistë që merreshin me çështje të ujërave. “Shkarkimi i Agim Veliut, dëshmonte një dorë të fortë të disiplinuar brenda qeverisë nga ana e tij”, tha Krasniqi.
Ai është shprehur se nga ta kërkohet vetëm të mos ketë vakum institucional. Në lidhje me marrëveshjen me Serbinë, ai u shpreh se edhe para dy viteve synohej normalizim i raporteve mes shteteve. Ai shtoi se nuk mund të jenë 100 përqind neutralë në raport me ndjenjat e tyre.