Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur sot në takim kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin dhe ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi.
Ai në postimin e tij në Facebook, ka shkruar se do t’i përmbahen vendimeve të deritashme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Postimi i plotë:
E falënderoj Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurtin për vizitën e sotme në Drenas, duke shprehur interesimin e tij për qytetarët e komunës së Drenasit.
Vizita e z. Kurti ishte e mirëseardhur për të diskutuar sfidat e situatës së pandemisë, por edhe për të prezantuar masat e ndërmarra nga ne si pushtet lokal, në parandalimin e përhapjes së virusit, gjithmonë duke respektuar rekomandimet e IKShP-së dhe vendimet e Qeverisë.
E falënderova Kryeministrin në detyrë, z. Kurti për vizitën, por edhe ministren Emilia Rexhepi, për përkushtimin e saj për administrimin sa më të suksesshëm e më efektiv të bashkëpunimit pushtet lokal dhe pushtet qendror.
Ne do t’i përmbahemi vendimeve të deritashme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Rri në shtëpi. Kujdes po, panik jo!