Ministria e Jashtme e Turqisë të martën i thirri në raportim ambasadorët e dhjetë shteteve – përfshirë ata të ShBA-së, Gjermanisë e Francës – për atë që e cilësoi deklaratë “të papërgjegjshme” që bëri thirrje për lirimin urgjent të filantropit të njohur turk, Osman Kavala.
Deklarata, e publikuar nga disa prej ambasadave të hënën, bëri thirrje për zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë të rastit Kavala, katër vjet pasi ai është burgosur, duke thënë se rasti “hedh hije mbi respektimin e demokracisë”.
Biznesmeni dhe filantropi turk ka qenë në burg nga fundi i vitit 2017 pa u dënuar. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se kjo është simbolikë e shtypjes së pakënaqësive gjatë pushtetit të Erdoganit, shkruan Reuters.
Në fund të vitit 2019, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të Kavalasë për shkak të mungesës së dyshimit të arsyeshëm se ai ka kryer ndonjë shkelje, duke vlerësuar se mbajtja e tij në ndalim shërben për t’ia mbyllur gojën.
Kavala u lirua vitin e kaluar nga akuzat e lidhura me protestat mbarëkombëtare të vitit 2013, por vendimi u rrëzua këtë vit dhe u kombinua me akuzat për një rast tjetër – atë që lidhet me përpjekjen për puç më 2016.
Ministria e Jashtme e Turqisë deklaroi se u tha ambasadorëve të martën se e refuzon deklaratën “e papranueshme”, që, sipas kësaj ministrie, është bërë me qëllim që t’i bëhet trysni sistemit të drejtësisë në Turqi dhe për t’i politizuar proceset gjyqësore.
“U theksua se Turqia është shtet demokratik e ligjor që është respektues ndaj të drejtave të njeriut dhe atyre iu kujtua se sistemi gjyqësor turk nuk do të ndikohet nga një deklaratë e tillë e papërgjegjshme”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.
Kjo ministri shtoi se ambasadorët janë paralajmëruar që të qëndrojnë brenda përgjegjësive të tyre si pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në anën tjetër, Këshilli i Evropës ka thënë se do t’i fillojë procedurat për shkelje kundër Turqisë, nëse Kavala nuk lirohet nga burgu.
Seanca e ardhshme për rastin kundër Osman Kavalasë, i cili i ka mohuar të gjitha akuzat, dhe ndaj disa të tjerëve është caktuar për datën 26 nëntor.