Lista GUXO, dega në Pejë, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet 9 shkurtit, duke hedhur akuza për dy kryetarët e partisë, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, se kanë bërë përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë pa konsultime me organet e partisë. Ministrja e Jashtme, Gërvalla, përmes një reagimi ka mohuar përçarjet, duke thënë se këso reagime do të ketë gjithmonë kur njerëz të caktuar nuk përfshihen në listë “për arsye të ndershme”.
Në një reagim të enjten në Facebook, Lista GUXO në Pejë ka thënë se që nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 kanë punuar fuqishëm në të mirë të partisë dhe, sipas tyre, konsolidimi i degës “mbase i pengonte oponentëve në kryesi, që për fat të keq tani veç u shpërfaqë dhe është evidente më”.
Ata kanë thënë se kanë mbajtur një mbledhje më 10 dhjetor, në të cilin pas dy vjetëve mungesë ka marrë pjesë edhe kryetarja e Listës GUXO në Pejë, Donika Gërvalla. Më tej, ata thonë se aty u njoftuan se përzgjedhja e kandidatëve për deputetë është bërë nga “Donika – Fatoni” e jo siç parashikon statuti i partisë.
“Pas diskutimeve përmbajtjesore dhe mirë të elaboruara nga ana e anëtarëve të kryesisë dhe propozimeve të tyre, duke pas për bazë demokracinë dhe mendimin e lirë dhe të drejtën që GUXO në Pejë të ketë kandidatin e vet në garë për deputet për shkak të meritokracisë dhe si e tillë dega merr përgjegjësinë për rezultatin e parashikueshëm pozitiv dhe pushteti partiak të fillonte ndikimin nga poshtë – lartë, teori e shumë trumbetuar nga vetë Donika, në fakt ndodhi ajo qe nuk pritej! Sihariqi na u dha se kandidatët janë të përzgjedhur nga Donika – Fatoni, e neve na mbetët të bëjmë punën e argatit e të mbledhim vota për ta, pra nuk u respektua mendimi dhe propozimi i degës, por as që shtrohej pyetja që për kandidatët e propozuar nga këta të dy të merrët miratimi në Këshillin e Përgjithshëm të partisë si organi i vetëm ekzekutiv dhe përgjegjës për të vendosur një gjë të tillë! Pra, gjithçka është vendosur në kundërshtim me Statutin e partisë dhe më të rëndësishmën rrënimin e demokracisë së brendshme dhe respektimin e vullnetit të anëtarëve të KP!”, thuhet në reagim.
Ky veprim i Gërvallës, sipas reagimit të Listës GUXO në Pejë, ua kujton një deklaratë të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, para dy vjetëve.
“Gjendja e tillë na e përkujtoi deklarimin e Fatonit para dy viteve në kryesinë e partisë GUXO në Pejë: ‘se në listë për deputet do të jenë vetëm ata që unë dua, me një fjalë të ndëgjueshmit e mi’, pra servilët e jo kuadrot kredibil dhe të dinjitetshëm”, vijon reagimi.
Kësisoj, dega e GUXO-s në Pejë ka vendosur të mos përkrahë atë që e quajnë “lista Donika – Faton” dhe të mos marrin pjesë në zgjedhje
E në një reagim, Gërvalla ka këmbëngulur se Lista GUXO është më e fortë se kurrë.
“Para se të ngazëllehen ato media, të cilat me agresivitet të pazakonshëm dhe të panevojshëm sulmojnë Partinë Guxo, më lejoni të bëj një sqarim të shkurtër! Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë persona, të cilët kur nuk përfshihen, për arsye të ndryshme, në listën e kandidatëve për deputetë, tek atëherë aktivizohen e zgjohen. Mllefin, jo rrallë, e shprehin duke personalizuar e privatizuar strukturat partiake dhe duke pretenduar se partia po shuhet pse ata nuk janë në lista zgjedhore. Partia Guxo dhe e gjithë struktura e saj, dhe këtë e them me përgjegjësinë jo vetëm të bashkëkryetares së Partisë Guxo, por edhe si kryetare e Degës së Partisë Guxo në Pejë, sot është më e fortë, më e konsoliduar e më unike se kurrë. Me listën tonë prej 15 kandidatësh, në partneritet me VV dhe Alternativën, në zgjedhjet e 9 Shkurtit do të fitojmë fuqishëm e do të vazhdojmë punët e mira për Kosovën!”, ka shkruar ajo.