Nga Ruben Avxhiu
Manifestim i madh solidariteti me të mbijetuarat e fushatave serbe të përdhunimeve: Shqiptarët, boshnjakët e kroatët bashkohen në një manifestim të përbashkët, të drejtuar nga Mark Gjonaj dhe heroinat e mbijetesës Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyrete Tahiri-Sylejmani, “Motrat Qiriazi”, organizata e aktivistë të shumtë
NEW YORK: Komunitetet shqiptare, boshnjake e kroate u mblodhën sot, në Manhattan, për të demonstruar përballë Konsullatës së Serbisë, për të kërkuar drejtësi për fushatën e përdhunimeve të organizuar nga Beogradi gjatë viteve 1990-1999.
Manifestimi i drejtuar nga anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj, kishte në ballë të tij, gratë trimëresha nga Kosova, që u mbijetuan përdhunimeve e janë ngritur sot për të kërkuar drejtësi: Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyrete Tahiri-Sylejmani.
Thirrjet e fuqishme: “Duam drejtësi, tani!”, “Turp për Serbinë”, etj, oshëtinin nga zërat e manifestuesve, që valëvitën flamuj të Shqipërisë, SHBA-së, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë.
Organizatorët kishin bërë një punë të shkëlqyer duke realizuar një manifestim të fuqishëm, në një rrugë jo të lehtë për veprimtari të tilla, në një ditë pune të javës. Pranë trotuarit përballë, një mbi një kamion të vogël projektoheshin imazhe mes mesazhe e fotografi me mesazhe nga manifestimi.
“Disa mund të mendojnë se luftrat në Ballkan kanë mbaruar”, tha nga foltorja Këshilltari Bashkiak, Gjonaj. “Por për gati 70,000 të mbijetuarat e dhunës seksuale në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, lufta nuk mbaron kurrë. Për ato ajo vazhdon edhe sot e kësaj dite”.
Mesazhin e përforcoi vetë Vasfije Krasniqi-Goodman e cila tha: “Bota mund të ketë harruar krimet që ka kryer Serbia, n ëish-Jugosllavi. Por ne, që kemi vuajtur më së shumti, nuk i kemi harruar”. Ajo premtoi se nuk do të ndalet së denoncuari këto krime deri sa të ketë drejtësi për to.
“Ato quhen të mbijetuara se refuzojnë të heqin dorë nga lufta për drejtësi”, tha Mark Gjonaj, duke i ftuar pjesëmarrësit e manifestimi që t’i bashkohen kësaj kauze për ta detyruar Serbinë që të përndjekë dhe ndëshkojë burracakët që kryen këto përdhunime dhe nëse Serbia nuk dëgjon atëhere të ndërhyjë komuniteti ndërkombëtar për të ndëshkuar Serbinë.
Shyrete Tahiri-Sylejmani, gruaja e dytë nga Kosova, që guxoi të deklarohej publikisht se i kishte mbijetuar përdhunimeve serbe, foli me dinjitet nga foltorja, duke u thënë përdhunuesve serbë se “nuk ishin trima atëhere, e nuk janë trima tani”.
“Ju nuk keni më pushtet mbi ne!” gjëmoi nga foltorja Shyretja.
Bashkëluftëtarja e saj. Vasfija historinë e saj të përdhunimit e tregoi edhe përpara Kongresit Amerikan në muajin prill të këtij viti.
I kishte thënë në atë kohë oficerit serb që ta vriste, por ai i kishte lënë se po e linte gjallë që të vuante gjithë jetën nga turpi. Po ditët e turpit kanë ikur dhe kanë ardhur ato të drejtësisë.
Duke folur përpara manifestuesve, Pat Engel, aktiviste e njohur dhe bashkëshortja e kongresistit Eliot Engel, mikut të shquar të Kosovës e të shqiptarëve, përsëriti kërkesën e tij që Gjykata Speciale e ngritur në Hagë të hetojë, përndjekë dhe gjykojë krimet e serbëve që i janë përvjedhur drejtësisë. Krime si përdhunimet masive. Kjo gjykatë, tha Pat Engel, nuk mund të diskriminojë në bazë etnike.
Një nga bashkëorganizatorët e manifestimit ishte edhe Prganizata e Grave Shqiptaro Amerikane, Motrat Qiriazi. Në emër të tyre foli aktivistja Ariana Elezaj. Ajo përmendi fjalët e një shoqes së saj kroate që ndodhej në manifestim, se serbët mund të pretendojnë sot se janë viktima dhe jo agresorët, po do të dështojnë, se ne të tjerët, jemi “shumica e urtë” me një zë shumë më të fortë.
Ariana Elezaj bëri thirrje që të mos lejohen autorët e vërtetë të krimeve të ndryshojnë historinë. Drejtsia duhet të veprojë.
Përveç Këshilltarit të Bashkisë, Mark Gjonaj, në manifestim folën edhe Anëtarja tjetër e Këshillit Bashkiak, Carlina Rivera, e cila është edhe
BashkëKryetare e Kaukusit të Grave në Këshillin Bashkiak të New York-ut.
Rivera, e cila përfaqëson në Këshill Pjesën e Ulët Lindore të Manhattan-it ku banojnë edhe një numër shqiptarësh bashkëoi zërin e saj të solidaritetit me gratë nga Ballkani për të ndënuar krimet serbe, për të kërkuar drejtësi për gratë e mbijetuara nga përdhunimt në New York e në botë, e për ta ndaluar përdorimin e përdhunimit si mjet lufte.
Me këtë ton foli edhe Asambleistja e Shtetit të New York-ut, Nathalia Fernandez, e cila ka zëvendësuar Mark Gjonajn në Albany.
Ajo iu drejtua fillimisht, në shqip, manifestuesve dhe premtoi se do të qendronte përkrah shqiptarëve që përfaqëson, në lagjet Pelham Parkway dhe Morris Park, dhe të gjithë atyre që vuajtën nga krimet serbe, në luftën për drejtësi.
Përveç tyre folën edhe dy shqiptaro-amerikanë që kandidojnë për poste politike në shtetin e New York-ut. Vedat Gashi, që po kandidon për Bordin e Ligjvënësve në Kontenë Westchester dhe Marko Kepi që po kandidon për në Asamblenë e Shtetit në Staten Island.
Gashi shprehu solidarizimin e tij me manifestimin, kurse Kepi bëri thirrje që të mblidhen në mnyrë të përvitshme për këtë temë, që Serbisë t’i numërohen në përjetësi krimet e turpshme që ka kryer.
Të gjitha krimet serbe në Ballkan gjatë viteve 1990-1999 kanë një model që përsëritet. Varret masive dhe përdhunimet, shkatërrimet e mëdha dhe përpjekja për spastrim etnik janë regjistruar në Kroaci, Bosnje e Kosovë.
Për të folur për këto përvoja dhe kauzën e përbashkët dolën në tribunë edhe Velma Saric, Themeluese dhe Presidente e Qendrës Kërkimore Pas Konfliktit në Bosnje, Tommi Mischell, aktiviste kroato-amerikane, Elvana Shala, Ambasadorja e parë në histori e Vullnetit të Mirë nga Kosova, e Tanya Domi, aktivistja e profesoresha Columbia University, Dr. Feride Rushiti, Themeluese dhe Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës së Rehabilitimit për Viktimat e Torturës në Kosovë, Ella Mische, aktorja kroate, producente edhe shkrimtare e një dokumentari që gjurmon pikërisht përdhunimet si armë lufte në Ballkan.
Të gjitha kishin histori të dhimbshme, po edhe dëshmi kurajoje e premtime apo projekte për të vazhduar përpjekjet për denoncimin dhe zbulimin e krimeve, sensibilizimin e opinionit publik botëror për to, dhe aktivizimi i drejtësisë shtetërore dhe ndërkombëtare për të ndëshkuar kriminelët. Ndihmë, solidarizim dhe dëmshëpërblim për të mbijetuarat janë minimum që mund të kërkohet në ditët tona.
Emocionuese si gjithmonë ishte dalja në tribunë e prindërve të tre vëllezërve të vrarë Bytyçi (Ylli, Agron dhe Mehmet). Në emër të kësaj familje dëshmorësh foli një nga djemtë e mbijetuar Ilir Bytyqi. Ata janë një shembull i vendosmërisë për të mos hequr dorë nga kërkesa për drejtësi. Vetëm pak ditë më parë, e gjithë Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Demokratë e Republikanë bashkë, me asnjë votë kundër miratuan një rezolutë që i kërkon Serbisë të gjejë e të ndëshkojë vrasësit e këtyre tre qytetarëve amerikanë.
Kujtime nga koha e luftës solli edhe një personazh i njohur i atyre viteve, Ambasadori William Walker, që në krye të Misionit të OSBE-së denoncoi krimet serbe në Reçak, që solli pastaj ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Ai doli për përballjen me regjimin e Millosheviqit dhe bisedat që ai vetë kishte pasur personalisht në atë kohë me të mbijetuarat e përdhunimeve.
“Ndoshta, ata qindra e mijëra ushtarë që kryen përdhunimet mund të mos ndëshkohen dot më, pas kaq vitesh, po urdhëruesit e përdhunimeve, ata që nxitën e i lejuan, në Beograd, duhet të dalin përpara drejtësisë”, tha ai.
Gjatë manifestimin numri i pjesëmarrësve u dyfishua duke përmbytur trotuarin që policia më kot u mundua ta mbante të lirë për të mos penguar kalimtarët. Shumë prej këtyre të fundit ndalonin për të dëgjuar apo për të filmuar e bërë fotografi. Fotografi e filmime bëheshin edhe nga ndërtesa ku ndodhet Konsullata e Serbisë.
Njerëz të ndryshëm, pjesëmarrës të manifestimit, qarkullonin për të pritur e përqafuar ata folën nga tribuna, sidomos gratë që u mbijetuan përdhunimeve e sot kanë ngritur zërin për drejtësi, Vasfijen dhe Shyreten.
Si u shpreh, në gjuhën shqipe, Mark Gjonaj nga foltorja: “Serbët u munduan t’ua marrin nderin. Po këto gra janë sot nderi i kombit tonë!”