Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka kthyer përgjigje ambasadorit britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, rreth çështjes së flamurit kuqezi në zyrën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Faleminderit për përgjigjen tuaj të qartë. Të gjithë i kuptuam”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Twitter.
Kjo përgjigje e tij erdhi pas asaj të Ambasadës britanike në Kosovë bërë të mërkurën.
Në reagimin e saj kjo Ambasadë theksoi se është punë e tyre që të punojnë me akterë udhëheqës politikë në Kosovë, dhe nuk zgjedhin se si bashkëbiseduesi rregullon dhomën.
“Një foto e Ambasadorit në takim me një nga udhëheqësit politik në Kosovë ka marrë vëmendje në rajon. Është punë e ambasadës që të punojë me akterë udhëheqës politikë në Kosovë. Ne nuk kemi zgjedhur se si bashkëbiseduesi ynë, në kapacitetin e tij partiak, ka rregulluar dhomën”.
Reagimet e Vuçiqit erdhën pas një takimi që pati në Prishtinë, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abott, me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.