Plani i fshehtë i Erdogan për të strehuar Vëllazërinë Muslimane të Egjiptit në Shqipëri, çfarë luhet nën rrogoz

Javët e fundit është vërejtur një intensifikim i takimeve dhe vizitave të ndërsjellta mes qeverisë së Turqisë dhe asaj të Shqipërisë.

Ky intensitet i lartë i marrëdhënieve dypalëshe nuk ka mbetur pa u vërejtur edhe nga aleatët tanë strategjikë si edhe mediat botërore, të cilat kanë ngritur jo pak pikëpyetje në lidhje me orientimin perëndimor të Shqipërisë nga njëra anë dhe ky raport i ngushtë me një regjim si ai i Erdoganit nga ana tjetër.

Si produkt i kësaj dashurie qershori u reklamuan disa marrëveshje në fushën e shëndetësisë dhe sigurisë dhe qershia mbi tortë u tha se ishte kontrata 8 milionë euro për blerjen e disa dronëve.

Mirëpo, siç mësohet, çështja e intensifikimit të beftë të raporteve mes qeverisë së Turqisë dhe asaj të Shqipërisë, lidhet me një interes të drejtpërdrejtë të Erdoganit në rajon, i cili nëse realizohet mund të sjellë mjaft kokëçarje për shqiptarët.

Çfarë po luhet nën rrogoz?

Burime bëjnë me dije se qeveria e Erdoganit i ka kërkuar Shqipërisë që të strehojë krerët e Vëllazërisë Muslimane të arratisur nga Egjipti pas përmbysjes së pushtetit të Presidentit Mursi në verën e vitit 2013. Turqia dhe Katari njihen si mbështetësit kryesorë të grupimit Vëllazëria Muslimane në botë dhe fill pas përmbysjes së tyre në Egjipt ata u strehuan pikërisht në Turqi.

Pushteti i Erdoganit ka qenë në një luftë të hapur me qeverinë e re të Egjiptit pikërisht prej Vëllazërisë Muslimane. Autoritetet në Egjipt akuzojnë Turqinë për mbështetje VM dhe ndërhyrje në punët e tyre të brendshme.

Kanë kaluar 8 vite që prej asaj kohe, kanë ndryshuar edhe balancat gjeopolitike dhe tashmë Turqisë i nevojitet të normalizojë marrëdhëniet me Egjiptin, ndërkohë që këta të fundit i kanë vendosur si kusht dorëzimin e krerëve të Vëllazërisë Muslimane. Krerët e Vëllazërisë Muslimane akuzohen për vrasjen e mijëra egjiptianëve gjatë protestave të vitit 2013 në Egjipt dhe kërkohet të gjykohen në gjykatat vendase, gjë të cilën deri më tani Turqia nuk e ka lejuar.

Ky hyn Shqipëria?

Dorëzimi i krerëve të Vëllazërisë Muslimane tek autoritetet egjiptiane do të rrëzonte retorikën disa vjeçare të liderëve të Turqisë, të cilët deri më tani i janë paraqitur Botës Islame si përfaqësuesit e besimtarëve. Po ashtu, një veprim i tillë do të mërziste një përqindje të madhe të votuesve të partisë islamiste të presidentit Erdogan (AKP).

Atij i duhet të gjejë një zgjidhje, ku edhe votuesit e tij të mos i mërzisë, por edhe të mos mbesë në fokusin e presionit të egjiptianëve.

Pikërisht këtu hyn faktori shqiptar.

Burimet bëjnë me dije se Turqia i kërkoi fillimisht Kosovës që të strehonte krerët e Vëllazërisë Muslimane, të cilët do të futeshin aty gjoja spontanisht duke bërë që Presidenti Erdogan t’u thotë autoriteteve të Egjiptitit se “ata që ju kërkoni nuk janë më në Turqi”.

Por, por shkak të specifikave të brendshme në Kosovë dhe rrezikshmërisë që paraqesin persona të tillë nisur nga raporti problematik që kanë me sigurinë dhe shtetin ligjor, Prishtina refuzoi duke bërë që Turqia të hedhë sytë nga Tirana.

Aktualisht, qeverisë së Shqipërisë i duhet të vendosë nëse do të pranojë ose jo kërkesën e Presidentit Erdogan për t’u përfshirë në pazaret e tij gjeopolitike duke u bërë bazë e sigurtë për krerët e islamistëve në të gjithë botën.

Ndërkohë që artikulimi publik është krejtësisht tjetër, shqiptarët gjenden përballë rrezikut që të përdoren edhe kësaj radhe si “mish për top” në shërbim të interesave politike të liderit turk.

E thënë më shkoqur, jemi përballë rrezikut për t’u përdorur si një “landfill” i mirëfilltë, ku çdo i fuqishëm hedh mbeturinat e tij pasi i ka përdorur dhe tashmë nuk i duhen më.