Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nisur një sulm ndaj Organizatës Botërore të Shëndetit duke e akuzuar atë për ofrimin e rekomandimeve të gabuara.
“OBSH me të vërtet e ka katranosur punën… Për fat të mirë kundërshtova këshillat e tyre për mbajtjen e kufijve tanë të hapur ndaj Kinës. Përse na dhanë një rekomandim kaq të gabuar?”, ka shkruar Trump në Twitter.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një “sherr” i tillë ka plasur edhe midis Kinës dhe republikanëve në Washington, pas mënyrës se si e trajtoi pandeminë, ndërsa Trump ka hapur dyshime për saktësinë e statistikave kineze për rastet si dhe vdekjet.
Sidoqoftë, raportohet se presidenti Trump është kritikuar gjerësisht për nënvlerësimin e virusit, pasi e krahasoi me një grip të zakonshëm, dhe tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin situatën në kontroll, e që më vonë e shpalli emergjencë kombëtare.
Ndërkaq zyrtarët amerikanë kanë kërkuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, pasi ky i fundit është quajtur “bashkëfajtor për mbulimin masiv të rasteve nga coronavirusi në Kinë”.
Shefi i OBSH-së ka marrë kritika të mëdha nga dy senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio dhe Ted Cruz, si dhe nga Ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton.
“OBSH është bashkëpunëtor i ‘mbulimit’ masiv të rasteve nga coronavirusi në Kinë”, kishte shkruar Bolton në Twitter.
“Kjo është arsyeja pse unë i mbështes përpjekjet e senatorit Marco Rubio, dhe të Ted Cruz, për dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm, Ghebreyesus”, kishte shkruar më tej.
Ndryshe deri më tani në SHBA 368 mijë persona janë infektuar me Covid-19, 11 mijë prej tyre kanë ndërruar jetë, ndërsa 19 mijë njerëz janë shëruar.