Plumb kokës shqiptarit në Spanjë, e nxjerrin nga “Audi” dhe e hedhin para derës së spitalit

Një shtetas shqiptar ka ndërruar jetë në Girona të Spanjës këtë të hënë. Mediat iberike raportojnë se të shtunën rreth orës 19:00, shqiptari ende i paidentifikuar, u la para derës së spitalit Blanes në qytetin verilindor spanjoll, me një plagë në kokë të shkaktuar nga një e shtënë me armë zjarri.

Policia spanjolle ka nisur një hetim për vrasje, teksa bëhet me dije se kanë qenë të paktën tre persona në një automjet tip “Audi” të zi që e kanë lënë të ndjerin në derën kryesore të spitalit Blanes.

Divizioni i Hetimit Kriminal i rajonit të Gironas kanë nisur të analizojnë kamerat e spitalit dhe ato pranë zonës që mund të kenë regjistruar mjetin, i cili sipas disa informacioneve kishte targa të huaja.

Një nga hipotezat që hetuesit po shqyrtojnë është se mund të jetë një ngjarje e lidhur me trafikun e drogës. Sakaq, trupi i viktimës do të transferohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Girona, ku ekspertët mjeko-ligjorë pritet të kryejnë autopsinë për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe për të identifikuar viktimën, raporton A2.

Ndërkohë, ElCaso.com raporton se 24 orë pasi shqiptari u braktis në derën e spitalit, një burrë që pretendon të ketë lidhje me ngjarjen është dorëzuar në stacionin e policisë në Lloret de Mar.

Policia ka konfirmuar se ka arrestuar një person, i cili është paraqitur në komisariat, por për momentin nuk dihet se çfarë roli ka luajtur ai në vrasjen e shqiptarit, ose nëse ka qenë një nga tre personat në automjetin tip “Audi”, përcjell A2.

Agjentët nga DIC e Girona kanë shkuar në stacionin e policisë Lloret de Mar për ta marrë atë në pyetje, duke pritur që roli i tij të sqarohet dhe t’i dorëzohet, nëse është e nevojshme gjykatës.

Mossos d’Esquadra dyshon se kjo vrasje lidhet edhe një herë me trafikun e drogës, një biznes i rrezikshëm, i cili e ka kthyer rajonin e Katalonjës në prodhuesin më të madh të kanabisit, që eksportohet në të gjithë Evropën dhe gjeneron miliona euro përfitime.