President rus Vladimir Putin duket se i ka marrë tepër seriozisht deklaratat e fundit nga fronit i Perëndimit, të cilët njëzëri janë shprehur se do të përballen ushtarakisht nëse Kremlini tenton të sulmojë ndonjë prej vendeve aleate.
Në një fjalim tepër të ashpër, të mbajtur 4 muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë, Putin ka deklaruar se Rusia “mezi po priste të niste betejën” në Ukrainë dhe i ka bërë thirrje Perëndimit që të guxojë e të dalë në fushë-betejë për ta mposhtur Rusinë.
Putin gjithashtu tha se perspektiva e paqes zbehet sa më gjatë që vazhdon konflikti. “Sot dëgjojmë se duan të na mposhtin në fushën e betejës, çfarë mund t’i thuash këtyre, le ta provojnë pra”, tha kreu i Kremlinit.
“Ne kemi dëgjuar shumë herë se Perëndimi dëshiron të na luftojë deri në ukrainasin e fundit. Kjo është një tragjedi për popullin ukrainas, por duket se gjithçka po shkon drejt kësaj’, shtoi ai në vijim.
Ndërkohë, Rusia akuzon Perëndimin se po zhvillon një luftë shifrash kundër saj duke goditur ekonominë e saj me sanksione dhe duke rritur furnizimin me armë të avancuara në Ukrainë.
Sa i përket takimit të G20 që po zhvillohet në Indonezi, Rusia nuk do të përfaqësohet pasi ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ka munguar në mbledhje, ndërsa të pranishmëve u është drejtuar me një deklaratë Ministri i Jashtëm i Ukrainës.
Kryediplomati i Moskës mori pjesë në seancat e mëngjesit të bisedimeve në Bali, ku fokusi ishte pushtimi rus ndaj fqinjit të saj, por ai nuk ishte i pranishëm pasi Dmytro Kuleba foli pasdite në mbledhjen e ministrave të jashtëm.
Ukraina ndërkohë ka akuzuar Rusinë për përhapjen e informacionit të rremë. Në një postim në Telegram, shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës tha: “Propagandistët rusë po përhapin në mënyrë aktive raporte të rreme për gjoja shkatërrimin e sistemit të artilerisë amerikane HIMARS.
“Ne theksojmë se këto mesazhe nuk korrespondojnë me realitetin dhe nuk janë asgjë më shumë se një tjetër falsifikim rus. Sistemet reaktivë HIMARS, të ofruara nga partnerët amerikanë, shkaktojnë vazhdimisht goditje shkatërruese në pikat me rëndësi strategjike të armikut, gjë që çon në humbje kolosale në pajisjet, personelin dhe mbështetjen e forcave pushtuese”, thuhet më tej në deklaratë.