Burime bëjnë me dije se oficeri i policisë Shkëlqim Dukaj është mbajtur nën vëzhgim dhe në momenti e ndalimit në aparatin celularë të tij është gjetur një fotografi e armës së zjarrit që besohet të jetë përdorur për ekzekutimin e Eduard Reçit.
Ndërkohë, vëllai tjetër Florian Duka besohet se ka kryer veprime aktive në ngjarje duke informuar të Shkëlqim Dukajn mbi lëvizjen e shënjestrës deri në ekzekutimin e tij.
Mbi dy vëllezërit rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Mësohet se ditën e nesërme do të mblidhet dhe komisioni në Policinë e Shtetit për të marrë vendimin për përjashtimin e Shkëlqim Dukajt nga radhët e uniformave blu.
Sipas autorieteve policore Eduart Reçi është ekzekutuar për motive pronësie, për shkak të një pallati që kishte planifikuar të ndërtonte, por kishte konflikt me vëllezërit Dukaj.
“Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Eduart Reçi, po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës). Ndër personat me të cilët shtetasi Eduart Reçi, kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Florjan Duka, dhe Shkëlqim Duka.” – thuhej në njoftimin e bluve të kryeqytetit.
Kujtojmë se Eduart Reçi u ekzekutua me plumb në kokë mbrëmjen e 13 nëntorit në shesh pushimin e pallatit të ndërtuar prej tij në rrugën “Faik Konica” pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Arma e përdorur nga autorët dyshohet se ka qenë me dylbi dhe me silenciator.
Para disa vitesh, Eduart Reçi ka qenë drejtor në një prej drejtiorive të institucionit të Shërbimit Informativ Shtetëror, teksa vitet e fundit ka qenë i njohur për aktivitetin e tij në ndërtim, pasi ka ndërtuar disa pallate pranë zonës ku iu bë atentati dhe është pronari i kompanisë “ELGM.shpk”.
Biznesmi Eduart Reçi me origjinë nga Dibra ishte babai i dy fëmijëve.