Polici e qëlloi Eduart Reçin nga lokali i tij, në celular iu gjet foto e armës

Janë zbardhur detaje të reja nga zbardhja e atentatit ndaj biznesmenit 52-vjeçar Eduart Reçi, për të cilën u arrestuan si autor të ngjarjes dy vëllezërit Florjan Dukaj, 45 vjeç dhe Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në rolin e qitësit ka qenë Shkëlqim Dukaj, efektiv i OPGJ-së në komisariatin numër 2 në Tiranë.

Po të njëjta burime bëjnë me dije se pas ekseperimentit hetimor të urdhëruar nga Prokuroria, uniformat blu kanë ngritur dyshimet se qitja është kryer nga një lokal pranë vendit të krimit, i cili është në pronësi të dy vëllezërve Dukaj.

Pas kqyrjeve dhe të pamjeve të tjera të kamerave të sigurisë, kjo duket se është konfirmuar dhe ditën e djeshme uniformat blu kanë ushtruar kontroll në lokalin e dy vëllezërve, ku në magazinën e lokalit janë gjetur një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, 6 objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike.

Të gjitha armët dhe pajisjet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dhe sipas autoriteteve ato dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Burime bëjnë me dije se oficeri i policisë Shkëlqim Dukaj është mbajtur nën vëzhgim dhe në momenti e ndalimit në aparatin celularë të tij është gjetur një fotografi e armës së zjarrit që besohet të jetë përdorur për ekzekutimin e Eduard Reçit.

Ndërkohë, vëllai tjetër Florian Duka besohet se ka kryer veprime aktive në ngjarje duke informuar të Shkëlqim Dukajn mbi lëvizjen e shënjestrës deri në ekzekutimin e tij.

Mbi dy vëllezërit rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në foto: Vëllezërit Shkëlqim dhe Florjan Dukaj

Mësohet se ditën e nesërme do të mblidhet dhe komisioni në Policinë e Shtetit për të marrë vendimin për përjashtimin e Shkëlqim Dukajt nga radhët e uniformave blu.

Sipas autorieteve policore Eduart Reçi është ekzekutuar për motive pronësie, për shkak të një pallati që kishte planifikuar të ndërtonte, por kishte konflikt me vëllezërit Dukaj.

“Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Eduart Reçi, po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës). Ndër personat me të cilët shtetasi Eduart Reçi, kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Florjan Duka, dhe Shkëlqim Duka.” – thuhej në njoftimin e bluve të kryeqytetit.

Kujtojmë se Eduart Reçi u ekzekutua me plumb në kokë mbrëmjen e 13 nëntorit në shesh pushimin e pallatit të ndërtuar prej tij në rrugën “Faik Konica” pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Arma e përdorur nga autorët dyshohet se ka qenë me dylbi dhe me silenciator.

Para disa vitesh, Eduart Reçi ka qenë drejtor në një prej drejtiorive të institucionit të Shërbimit Informativ Shtetëror, teksa vitet e fundit ka qenë i njohur për aktivitetin e tij në ndërtim, pasi ka ndërtuar disa pallate pranë zonës ku iu bë atentati dhe është pronari i kompanisë “ELGM.shpk”.

Biznesmi Eduart Reçi me origjinë nga Dibra ishte babai i dy fëmijëve.

Lajme të lidhura