Polici kosovar: Mos me sulmoni duke me parë si objekt pa ndjenja! Kur ju jeni në pizhama, unë jam në uniform!

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, me anë të një shkrimi ka treguar sfidat me të cilat ai përballet.

Polici, Liridon Sadriu ka thënë se ai çdo herë është i gatshëm për detyrën e tij, për t’ua siguruar qytetarëve gjumin e qetë.

Sadriu ka thënë se çdo mëngjes i thotë lamtumirë gruas dhe fëmijëve, sikurse ajo të ishte hera e fundit, transmeton Indeksonline.

“Me revole në brez, i gatshëm për t’jua siguruar gjumin e qetë. Ftohtë, borë, akull e shi, unë jam në detyrë, herë-herë edhe pa ngrenë e pa pirë.
Në çdo mëngjes i them lamtumirë gruas dhe fëmijëve të mi. Çdoherë i përqafoj për herë të fundit, ua dhuroj puthjen e amshimit. E sa herë kthehem në shtëpi, i ledhatoj fort e fort. Çdo natë jam i ringjalluri i tyre. Minutat e vonesës sime për familjen janë shekuj e shekuj”, ka shkruar ai.

“Kur jam në detyrë, harroj se jam prind dhe burrë i një gruaje, të cilët me presin me padurim t’ju shkoj i gjallë në shtëpi. Çdo natë! Harroj se jam djalë i një babai e një nëne, të cilët me rritën me aq mundim.
Asnjëherë nuk ngopem me ta! Sa nisëm për punë, them të kthehem e t’u marrë erë fëmijëve e gruas, ndoshta për herë të fundit; ta lus Zotin që t’i bekojë e të kujdeset për ta edhe nëse nuk do të kthehem sonte në shtëpi”, ka shkruar tutje ai.