Policia e Kosovës (PK) ka sqaruar arrestimin e një personi të moshuar në Vushtrri pasi i njëjti nuk i kishte respektuar masat anti COVID-19 duke mos e vendosur maskën mbrojtëse.
Sipas Policisë, njësitë e hetimeve regjionale në Mitrovicë kishin qenë duke patrulluar në zbatimin e planit operativ “COVID-19” në bulevardin “Adem Jashari” në Vushtrri dhe kishin hasur në një person i cili nuk kishte të vendosur maskën mbrojtëse. Nga i njëjti njësitë kishin kërkuar që të vendosë maskën sipas vendimit për masat mbrojtëse nga pandemia.
“Vlen të potencohet se zyrtarët policorë kishin kërkuar dhe njëherit i kishin dhënë urdhër verbal disa herë personit në fjalë, por i njëjti duke refuzuar nuk i ishte bindur urdhrave të zyrtareve policorë duke aluduar se është i sëmurë, por pa argumentuar me ndonjë dokument mjekësor”, raporton Policia e Kosovës.
Sipas PK, i moshuari më pas është dërguar në stacionin policor për intervistim dhe procedura të mëtejme.
Nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicës kanë raportuar se personi në fjalë nuk ka dëshmuar asnjë dokument se është i sëmurë dhe nga verifikimet e bëra i njëjti ka rezultuar se është i njohur për shumë vepra penale.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik lidhur me shkrimet dhe videot të cilat janë publikuar sot (10.09.2021) në disa media-portale, e që i referohen kinse një rasti të konfrontimit të një personi të moshuar me zyrtarët policorë në Vushtrri, ju informon dhe njëherit sqaron me sa vijon:
Në këtë rast, derisa njësia e hetimeve Regjionale-Mitrovicë kishte qenë duke patrulluar në bulevardin “Adem Jashari “ në Vushtrri në zbatim të planit operativ Covid -19, kishte hasur në një person i cili nuk e kishte pasur të vendosur maskën mbrojtëse dhe nga i njëjti kanë kërkuar që ta vendos maskën mbrojtëse bazuar në vendimin për masat mbrojtëse nga pandemia.
Personi në fjalë fillimisht kishte refuzuar vendosjen e maskës, e po ashtu kishte refuzuar edhe prezantimin e dokumentit identifikues (letërnjoftimin) të kërkuar nga zyrtarët policorë.
Vlen të potencohet se zyrtarët policorë kishin kërkuar dhe njëherit i kishin dhënë urdhër verbal disa herë personit në fjalë, por i njëjti duke refuzuar nuk i ishte bindur urdhrave të zyrtareve policorë duke aluduar se është i sëmurë, por pa argumentuar me ndonjë dokument mjekësor.
Bazuar në informatat zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicës, personi në fjalë nuk ka dëshmuar asnjë dokument se është i sëmurë dhe nga verifikimet e bëra i njëjti ka rezultuar se është i njohur për shumë vepra penale.
Në konsultim me gjyqtarin ndaj të njëjtit është iniciuar rasti “Mosrespektim i urdhrit të policit (PRQP)”, ku pas intervistimit rasti vazhdon procedurë të rregullt, për trajtim të mëtejme nga gjykata kompetente.
Policia e Kosovës, pas çdo operacioni apo veprimi policor, vlerëson dhe njëherit si në këtë rast trajton veprimet dhe sjelljet e zyrtarëve policorë se a janë në harmoni me rregullat dhe procedurat policore.