Policia e Kosovës njofton për dy persona të dyshuar të përfshirë në veprën penale në Bistricë të Leposaviqit të cilët kanë goditur veturën e Policisë duke tentuar të rrezikojnë jetën e zyrtarëve.
Në njoftimin e Policisë thuhet se dy persona shtetas të Kosovës janë të përfshirë edhe në vepra të tjera penale.
”Referuar pyetjeve dhe interesimit nga media të ndryshme lidhur me rastin e ndodhur sot në Bistricë të Leposaviqit, ku janë rrezikuar zyrtarët policor gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, ju informojmë se:
Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare ka ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore dhe ka identifikuar dy persona të dyshuar, verifikimet e të cilëve kanë rezultuar me përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale.
Personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast sipas të dhënave rezultojnë të jenë persona me të kaluar kriminale dhe të përfshirë në dhjetëra veprave penale dhe kundërvajtje si:
1. I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje.
2. I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (M.D. 1985), dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova etj, etj. I njëjti ka kryer edhe (3) kundërvajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve pa dallim, si dhe parandalimit të veprimtarive të ndryshme kriminale.